Dështon mbledhja e Komisionit për Arsim

Mbledhja e ardhshme mbahet më 28 janar

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, ishte paraparë të miratohej raporti i punës së Komisionit për vitin 2018 dhe shqyrtimi i planit të punës për vitin 2019. Por, kjo mbledhje ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit. Vetëm pesë anëtarë të komisionit ishin në sallë, të cilët edhe përkundër pritjes dhe telefonatave që u bënin anëtarëve të tjerë, nuk arritën të bëjnë kuorumin.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, ka thënë se në vazhdimësi ky komision është përballur me mungesë të kuorumit.

“Arsyeja është se nuk ka kuorum, gjë që po ndodhë disa herë në Komisionin e Arsimit e që nuk është aspak mirë që po ndodh po kjo është çështje e organizimit të brendshëm të Kuvendit dhe do të bëjmë përpjekje që këtë problem ta tejkalojmë. Ky problem e ka përcjell Komisionin e Arsimit gjatë tërë sesionit vjeshtor dhe po fillojmë edhe këtë sesion me të njëjtin problem”, është shprehur ai.

Në këtë mbledhje morën pjesë deputetë të Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi dhe Arbërie Nagavci, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, Albulena Balaj nga Nisma Socialdemokrate dhe Müfera Srbica – Şinik nga Grupi 6+. Ndërkohë, munguan Driton Çaushi i PSD-së, Valentina Bunjaku dhe Fidan Rekaliu nga LDK, Abdyl Salihu nga PDK dhe Verica Qeraniq nga Lista Serbe.

Anëtarët e Komisionit vendosën që mbledhja e ardhshme të mbahet më 28 janar në ora 14:00.

Back to top button