Dështon thirrja e Bahtirit, greva e mësimdhënësve vazhdon në Mitrovicë

Vazhdon greva

Mësimdhënësit e shkollave të komunës së Mitrovicës nuk kanë përfillur kërkesën e kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtiri, që mësimi të fillojë sot, qoftë edhe me arsimtarë vullnetarë. Drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Iset Beka ka konfirmuar për kp mosmbajtjen e mësimit në shkollat e Mitrovicës.

“Jo, nuk është duke u mbajtur mësimi në asnjë shkollë. Nuk kemi as mësimdhënës vullnetarë, me gjasë po hezitojnë për shkak të kolegëve ose SBASHK-ut, nuk e di.”, ka thënë shkurt Beka.

Ndërkaq, kryetar i Sindikatës së mësimdhënësve në komunën e Mitrovicës, Isa Ismajli e ka quajtur të gabuar deklaratën e kryetarit Bahtiri për mbajtjen e mësimit sot, përmes mësimdhënësve vullnetarë. Sipas tij, kryetari Bahtiri nuk ka arritur të gjejë vullnetarë, ndërsa konfirmoi se greva është duke vazhduar në të gjitha shkollat e kësaj komune.

“Deklarata e kryetarit Bahtiri për mbajtjen e mësimit me arsimtarë vullnetarë është e gabuar. Ai me siguri ka tentuar të gjej këta arsimtarë në mesin tonë, por nuk ia ka arritur qëllimit. Greva vazhdon në Mitrovicë 100 për qind.”, ka thënë Ismajli.

Kryetari Bahtiri, ditë më parë kishte deklaruar se të hënën do të fillojë mësimi me mësimdhënës vullnetarë në Mitrovicë.

Back to top button