"Sunny Hill Festival” do të fillojë me 10 gusht

“Sunny Hill Festival” do të fillojë me 10 gusht

“Sunny Hill Festival 2018” do të mbahet sivjet në Prishtinë, në Parkun e Gërmisë nga 10-12 gusht 2018. Në një konferencë për media janë bërë të ditura çmimet e biletave dhe detaje tjera nga ky festival.

Çmimet do të sillen nga 35 euro më e lira deri në 55 euro dhe 75 euro dhe do të vlejnë për tre ditë sa zgjatë festivali.

25% e fondeve që do të mblidhen do të shkojnë për fondacionin “Sunny Hill Fundation”, këtë e ka konfirmuar baba i këngëtares Dua Lipa Dukagjin Lipa.

“Festivali do të ndodhë me datat 10,11,12 gusht, në hapësirat e Gërmisë dhe jo vetëm pjesa e koncertit që ka qenë me Duan para dy viteve, por do të jetë e tërë Germia dhe do të kemi në dispozicion 72 orë të gatshme”, tha Lipa.

Lipa tha se aktiviteti me artistin kryesor pritet të fillojë nga ora 22:30.

“Do të ketë aktivitete ditore dhe besoj që do jemi të hapur që nga ora 10 -11 e ditës dhe shpresoj që njerëzit të vijnë për t’i shijuar aktivitetet ditore”, tha Lipa.

Dukagjin Lipa ka treguar se natën e parë do të performojnë Dua Lipa, Stanaj, Grace Carter e të tjerë. Nata e dytë do të fillojë me Action Bronson, Cold Train, Ledri dhe Mc Kresha. Sipas tij nata e tretë do të ketë një DJ me famë botërore po që më 17 korrik do bëhet zyrtare për publikun dhe më pas SG Leëis dhe DJ Gamble nga Prishtina.

Ndërsa, Alban Kastrati nga Sunny Hill, tha se do ta ketë vëmendjen e shumë mediave botërore.

“Festivali përveç dobisë kulturore, do të krijojë shumëfish rritje ekonomike, sepse presim me mijëra njerëz evropianë të vijnë në Kosovë dhe për herë të parë do të bëjmë të mundur që jo vetëm kosovarët të dalin në vendet e tjera për të parë festivale, sepse SunnyHill do të bëjë që evropianët e rinj të vizitojnë Kosovën për këtë festival”, deklaroi Kastrati.

Visar Breznica pjesë e Sunny Hill Festival shtoi se biletat do të shiten online ashtu si në festivalet e tjera dhe bileta elektronike do të jetë në smartfonat tanë gjatë tërë kohës dhe në aplimacione do të jetë shitja e biletave. Ai shtoi se pika të shitjes do të ketë edhe në vendet e tjera rajonale përmes partnerëve të festivalit.

“Çmimet do të jenë më të lira në krahasim me të gjitha festivalet e tjera. Kemi filluar me 35 euro dhe të gjithë muzikëdashësit i ftojmë të na ndjekin në rrjetet tona sociale për detajet tjera shtesë”, tha Visar Breznica.