Garë mjaftë interesante me rregullat e veta

Garë mjaftë interesante me rregullat e veta

Në Turqi u mbajt gara vjetore e deveve, e cila edhe kësaj radhe tërhoqi vëmendje të madhe, si të vendasve ashtu edhe të huajve.

Ndeshja e deveve mes vete në garë zhvillohet çdo vit në muajin janar në qytetin turk, Selçuk.

Pjesa interesante e garës është se pronarët e deveve, këto kafshë i fusin në ring, ku dy deve meshkuj luftojnë në mes vete, ndërkohë që një deve femër u qëndron në afërsi.

Sipas organizatorëve të kësaj gare, devetë meshkuj luftojnë në mes vete për ta fituar devenë femër, shkruan rtv21.tv

Kjo garë, si edhe çdo garë tjetër, ka rregullat e veta. Ekzistojnë tri mënyra në të cilat deveja fiton luftën, njëra është kur njëra prej tyre rrëzon devenë tjetër përtokë, një mënyrë tjetër kur njëra bën tjetrën që të bërtasë, dhe e treta, kur e bën të tërhiqet nga luftimi.

Diçka që bie në sy në këtë ngjarje është se pronarët e deveve, kafshët e tyre i dekorojnë me lloje të ndryshme lulesh apo zbukurime të tjera, dhe para fillimit të luftimit, ato i nxjerrin në parakalim nëpër rrugë, të shoqëruara nën tingujt e muzikës.

Zakonisht në këtë përleshje marrin pjesë deri në 120 deve, ndërkaq numri i personave që ndjekin këtë ngjarje është i madh, qindra mijëra dashamir.

Sipas të dhënave për përleshjen vjetore të deveve në Turqi, ajo daton 2 mijë e 400 vjet më parë. Devetë kanë natyrë luftarake me njëra tjetrën, gjë që ka tërhequr vëmendjen e pronarëve të tyre edhe para fillimit të organizimit të kësaj gare.

Qeveria e vendit, një garë të tillë e ka shfrytëzuar për përfitime. Në vitin 1920, lidhja e aviacionit nacional turk organizoi garë përleshjeje në mes devesh, dhe paratë e mbledhura nga ajo i shfrytëzoi për aeroplanë për qeverinë turke. Nga viti 1920 deri në vitin 1980, kjo garë u veçua e nivelit jo të duhur për vendin, por prej vitit 1980, qeveria e re filloi të inkurajojë organizimin e saj vjetor, duke e vlerësuar  të rëndësisë historike kulturore turke./21Media