BE dhe Britania arrijnë pajtimin për prioritetet

Bisedimet për “Brexit”

Bashkimi Evropian dhe Britania kanë arritur pajtimin për prioritetet dhe orarin kohor të bisedimeve për Brexit, në takimin e parë mes negociatorëve, i cili u zhvillua të hënën në Bruksel.

Të dy palët e pajtuan se fillimisht do të përqendrohen në largimin e rregulluar të Britanisë nga unioni dhe arritjen e marrëveshjes për shtetasit e unionit, të cilët jetojnë në Britani, si dhe për britanikët, të cilët jetojnë në shtetet e unionit, më pas për kufirin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, si dhe për obligimet financiare, të cilat duhet t’i paguaj Londra.

Krye-negociatori i unionit, Mishel Barnie, tha se bisedat një javore do të zhvillohen çdo muaj në periudhën prej 17 korrikut deri më 9 tetor, ndërsa grupet punuese do të merren me çështjet si të drejtat e njeriut, marrëveshjet financiare dhe çështjet tjera, të cilat do të imponohen gjatë procesit të shkurorëzimit.

Barnie dhe ministri britanik për Brexit, Dejvid Dejvis, u pajtuan se çështjet më të rëndësishme do të jenë të drejtat e njeriut dhe liria e lëvizjes së qytetarëve të Bashkimit Evropian.

Dejvis tha se në samitin e radhës të udhëheqësve të unionit, kryeministrja Thereza Mey, do të bëj një ofertë në lidhje me të drejtat e njeriut.  Pajtimi dëshmon se bisedat do të rrjedhin ashtu si ka kërkuar Brukseli, që marrëdhëniet e reja të formulohen pasi që të jetë arritur një pajtim i mjaftueshëm në lidhje me çështjet për shkurorëzim dhe jo që paralelisht të zhvillohen biseda për largim dhe marrëdhënie të reja, ashtu siç ka kërkuar Britania.

Dejvis tha se me rëndësi është se si do të përfundojnë bisedat, e jo se si fillojnë ato. Barnie dhe Dejvis u shprehen të bindur se mund të arrihet një përparim i shpejte, por gjithashtu u pajtuan se ekzistojnë sfida të shumta për të realizuar afatin përfundimtar për largimin e Britanisë nga unioni, në mars të vitit 2019.

Back to top button