Zjarri ka përfshirë një territor pyjor prej 131 mijë e 737 hektarësh

Zjarri ka përfshirë një territor pyjor prej 131 mijë e 737 hektarësh

Zjarri pyjor që ka përfshirë rajonet Ashcroft, Cache Creek, 100 Mile House dhe 150 Mile House të provincës British Coulmbia të Kanadasë ka vazhduar të përhapet në mbi 130 mijë hektarë, duke shkaktuar mobilizim të madh të autoriteteve për fikjen e tij, raporton AA.

Sipas të dhënave të Qendrës së Informacionit rreth zjarreve në British Columbia, zjarri, i cili së fundmi ka përfshirë edhe rajonin Williams Lake, ka përfshirë një territor pyjor prej 131 mijë e 737 hektarësh.

Autoritetet e vendit theksojnë se dje është rritur në 37 mijë numri i të evakuuarve, i cili më 10 korrik ishte 14 mijë.

Ata po ashtu thonë se zjarri është aktiv në 162 pika të ndryshme dhe se për fikjen e tij janë angazhuar 2.895 persona, prej të cilëve 415 zjarrfikës.

Sipas autoriteteve, në fikjen e zjarrit është duke ndihmuar edhe një personel ushtarak prej 150 ushtarësh dhe dhjetë mjete ajrore, prej të cilëve tre helikopterë ushtarakë.

Siç thonë ata, faktori kryesor në përhapjen e shpejtë të zjarrit është shpejtësia e erës, e cila ka arritur deri në 60 kilometra në orë.

Në ndërkohë, një helikopter që po merrte pjesë në aktivitetet e fikjes së zjarrit është rrëzuar, por piloti është shpëtuar i plagosur.

Në luftën kundër zjarreve vendi deri më tani ka shpenzuar 81 milionë dollarë kanadez.

Po ashtu, në vend janë themeluar 11 qendra strehimi për të evakuuarit. Kryqi i Kuq Kanadez, organizatat joqeveritare dhe institucionet shtetërore janë duke ofruar ndihma për të prekurit nga zjarri.

Edhe organizata humanitare ndërkombëtare Islamic Relief Canada ka nisur fushatë humanitare për t’u dërguar ndihma të prekurve nga zjarri.

Nga ana tjetër, ekipet e Policisë Kalorëse Mbretërore të Kanadasë kanë arrestuar dhjetë persona për të cilët është konfirmuar të kenë bërë plaçkitje në zonat e evakuuara.

Ndryshe, zjarr i madh pyjor kishte përfshirë provincën British Columbia edhe në vitin 2003, kur si pasojë ishin evakkuar 50 mijë persona.