Sipas KDI-së, VV dhe LDK në vazhdimësi kanë shprehur përkushtimin e tyre për ta vazhduar procesin e dialogut

Sipas KDI-së, VV dhe LDK në vazhdimësi kanë shprehur përkushtimin e tyre për ta vazhduar procesin e dialogut

Dialogu me shtetin serb është një nga temat e para që pret trajtim pas krijimit të qeverisë së re të Kosovës, madje ka thirrje të vazhdueshme që qeveria që do të krijohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit duhet t’i rikthehet menjëherë dialogut.

Analistët vlerësojnë se të VV dhe LDK pas krijimit të qeverisë temë të parë të trajtimit duhet ta kenë dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

Ndërkohë, zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dje ka thënë se ShBA-së nuk i takon për të përcaktuar afatin kohor për marrëveshje përfundimtare, pasi për këtë duhet të vendosin vetë palët, megjithatë tha se shpreson që Albin Kurti do të gjej mënyrën për t’u kthyer në tavolinën e negociatave.

“Zgjidhja një herë e përgjithmonë mes Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në popullin këtu dhe më gjerë dhe në rajon, sepse do t’i çliroj të dy vendet Kosovën dhe Serbinë nga trashëgimia e armiqësive që shterr fokusin dhe energjinë e tyre dhe do të hap mundësi ekonomike. Do t’ia mundësoj udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë për t’ua kushtuar tërë vëmendjen e tyre çështjes së përmirësimit të jetës të popullit të tyre, duke trasuar rrugën për të ardhme paqësore dhe prosperuese…..Pritjet e mia për Kurtin duke supozuar që do të bëhet kryeministër është se do të jetë partner i mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se do të punojë ngushtë me neve në kërkim të objektivave dhe qëllimeve tona të përbashkëta. Se ai do ta kuptoj se dialogu me Serbinë është i rëndësishë m jo vetëm Kosovën, por edhe për ShBA-të, dhe ta integrojë atë në të menduarit e vetë dhe do të gjej mënyrën për t’u kthyer në tavolinën e negociatave”, tha ai.

Një monitorim të vazhdueshëm dialogut Kosovë-Serbi, i ka bërë Instituti Demokratik i Kosovës, ku Jeta Krasniqi nga kjo organizatë thotë se të dy subjektet, LVV dhe LDK, në vazhdimësi kanë shprehur përkushtimin e tyre për ta vazhduar procesin e dialogut.

Ajo thotë se ka një kërkesë të vazhdueshme edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera që Kosova të rikthehet në tavolinën e bisedimeve.

“Kemi parë që të dy këto subjekte kanë shprehur përkushtimin e tyre për të vazhduar me procesin e dialogut, por ajo çfarë ne mund të presim është që ata të japin apo ta ndryshojnë këtë proces në bazë të programeve të tyre apo edhe pikëpamjeve të tyre. Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar që ata janë të interesuar që në fillim të bëjnë një dialog me serbët e Kosovës, më pas të ketë një dialog me Bashkimin Evropian lidhur me atë se si duhet të zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi. Në të njëjtën kohë të bëhet një vlerësim i gjithë procesit të deritanishëm, të merren mësime dhe të ecet përpara. Tani unë vlerësoj që në këtë kohë kur jemi dhe sot në Kosovë do të qëndrojnë dy zyrtarë të lartë të ShBA-ve z.Palmer, është mese e qartë që ka një mbështetje amerikane, po ka edhe një kërkesë ta them ashtu që palët të kthehen sa më parë në tryezën e diskutimeve dhe të shohin mundësi për të përmbyllur këtë fazë të dialogut, deri në një afat kohor në pranverën e ardhshme kur pritet të ketë zgjedhje në Serbi”, thotë ajo.

Arton Demhasaj nga organizata Çohu thotë për kp, se qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund të arrijnë një marrëveshje me Serbinë.

“Duke marrë parasysh që presioni ndërkombëtar është shumë i madh në këtë kohë për t’u rikthyer Kosova në dialog dhe potencialisht me arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Në të njëjtën kohë këto zgjedhje që janë mbajtur në masë të madhe është quajtur se qeveria që do të krijohet pas zgjedhjeve do të jetë një lloj qeverie e dialogut, për shkak të presionit ndërkombëtar që është. Konsideroj që Lëvizja Vetëvendosje së bashku me LDK-në pasi që kanë edhe një shumicë të nevojshme të vendeve në Kuvendin e Kosovës, normalisht që munden me arrit një marrëveshje me Serbinë”, deklaroi ai.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike për KosovaPress, thotë se duhet ta trajtojë dialogun dhe përfundimin e tij si përgjegjësi kombëtare dhe si obligim ndërkombëtarë.

Sipas tij, dialogu dhe përfundimi i tij është përgjegjësi kombëtare sepse nëpërmjet këtij dialogu përfundimisht mund të kompletohet shtetësia e Kosovës dhe të anulohet çfarëdo lloj kontestimi i saj. Po ashtu, ai thotë se është obligim ndërkombëtarë pasi që nëpërmjet këtij dialogu arritja e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është shenjë e bashkëpunimit rajonal dhe shenjë e stabilitetit rajonal.

“Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës përpos kësaj duhet t’i ketë edhe dy qëllime kryesore në mënyrën se si e trajton dialogun Kosovë-Serbi. Ajo në radhë të parë nuk guxon që ta bëjë gabimin e njëjtë që e ka bërë qeveria e kaluar në raport me marrëdhëniet me opozitën parlamentare. Qeveria e ardhshme duhet që të thellojë bashkëpunimin me opozitën parlamentare dhe të sigurojë një përfshirje të tyre sa më përmbajtjesore. E treta, qeveria e ardhshme duhet të sigurohet që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje e cila e njeh në thelb realitetin e krijuar të vitit 2008 dhe asnjë rrethanë mos të shërbejë si bazë për krijimin e një realitetit të ri në vend”, shprehet ai.

Ai shton se vizitat e shpeshta të zyrtarëve të lartë amerikan dhe të shteteve të ndryshme janë shprehje e hapur e presionit për nevojën për rifillim të dialogut, e që sipas tij, ky presion është i drejtë pasi që ka nevojë që dialogu të rifillojë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, kanë qenë më të zëshmit viteve të fundit sa i përket mënyrës së si është zhvilluar dialogu Kosovë-Serbi, madje shpesh herë është potencuar se më shumë përkrahin një dialog me serbët që jetojnë në Kosovë.

Por Arton Demhasaj nga organizata Çohu thotë se nuk ka kohë për një dialog i tillë me serbët e Kosovës tashmë kur Vetëvendosja pritet të drejtojë qeverinë e Kosovës.

“Kjo ka qenë qasja e Lëvizjes Vetëvendosje sa ka qenë në opozitë dhe normalisht që në atë kohë ka qenë e kuptueshme që si parti opozitare me pas një qasje të tillë. Por, tash në momentin kur vjen në pushtet atëherë gjërat sillen ndryshe dhe ndryshe do të jetë edhe qasja. Po mendoj që edhe vet fakti që Vetëvendosja ka me hy në qeverinë e ardhshme ka me qenë pjesa kryesore e qeverisë së ardhshme atëherë edhe këta e kuptojnë në një mënyrë që nuk munden thjeshtë të zhvillohet një dialog i tillë çfarë pretendojnë që mund të zhvillohet me serbët lokal ose ajo që është quajtur në VV dialogu nga poshtë lartë. Për shkak se ne po e shohim se për cdo ditë po kemi vizita të delegacioneve të ndryshme ndërkombëtare, zyrtarëve amerikan, të BE-së dhe presioni që është për me u kthye në dialog Kosova me Serbinë. Nuk ka kohë për atë dialogun me serbët lokal, por thjeshtë dialogu duhet të zhvillohet në Bruksel” , deklaroi ai.

Ndryshe mendon Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili thotë për KosovaPress, se është e drejtë nevoja që të ketë një dialog të brendshëm me komunitetin serb.

“Unë mendoj që këndvështrimi i z.Kurti është një këndvështrim i drejtë sa i përket nevojës për një dialog të brendshëm me komunitetin serb. Sepse kujtojmë që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet në radhë të parë t’i shërbejë pikërisht këtij komuniteti dhe përmirësimit të jetës së tyre në Republikën e Kosovës, e tek mandej të krijojë bazë për marrëdhënie më të mira mes Kosovës dhe Serbisë. Unë konsideroj se është e drejtë nevoja që të ketë një dialog të brendshëm me komunitetin serb, dialog ky i cili mund të shërbejë si bazë për përmirësimin e krijimin e marrëdhënieve edhe më të mira mes shqiptarëve dhe serbëve”, thotë ai.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, kur Kosova ka vendosur taksë 100 përqind për produktet që importohen nga Serbia.