Diasporës vazhdon të mos i dëgjohet zëri në Kuvendin e Kosovës

Diasporës vazhdon të mos i dëgjohet zëri në Kuvendin e Kosovës

Vite me parë kishte filluar një diskutim që në reformën zgjedhore të futeshin edhe ndryshimet për t’ua mundësuar atyre përfaqësimin  në institucionin me të lartë ligjvënës, përmes vendeve të rezervuara enkas për ta, por që kjo ka mbetur vetëm në letër.

Ministria e Diasporës, por edhe vetë organizatat që merren me të drejtat e bashkatdhetarëve e shohin të domosdoshëm përfaqësimin e tyre në  Kuvend.

Zëvendësministri i Diasporës Arian Daci tha për Kp se janë duke punuar për strategjinë e re të Ministrisë që do të jetë për periudhën 2019-2024, në të cilën do të jetë e paraparë që diaspora të ketë përfaqësues në legjislativin e vendit. Madje, sipas tij diaspora duhet të jetë e përfaqësuar jo vetëm në Kuvend, por edhe në asamble komunale.

Edhe drejtoresha e organizatës që merret me diasporën për Kosovën,“Germin”, Liza Gashi tha se e shohin shumë të domosdoshme që bashkatdhetarët të kenë përfaqësim në institucionet me të larta të Kosovës.

Madje, sipas saj, diaspora duhet të njihet edhe me Kushtetutë, meqë është grupi më i madh social që jeton jashtë vendit. Por, për mundësinë që e përfaqësimit të diasporës në Kuvend e shohin pak me spekticizëm e shohin deputetët dhe shoqëria civile. Megjithatë, ata japin alternativa të tjera, që sipas tyre janë më të mira.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ths se ideja për përfaqësim politik të diasporës duhet analizuar shumë dhe me kujdes, duke ditur se bashkatdhetarët nuk janë të koncentruar vetëm në një shtet, por janë në gjithë botën. Selmanaj tha se ka mendim ndryshe në këtë fazë. Sipas tij, shteti duhet të ndërrojë qasje dhe t’u krijojë kushte mërgimtarëve që të vijnë të investojnë në Kosovë, që t’ua lehtësojnë udhëtimin përmes Kartonit të Gjelbër, por edhe shumë aspekteve tjera.

Edhe Valmir Ismaili nga Demokracia Plus e sheh të rëndësishme përfaqësimin e diasporës kosovare në institucionet e vendit. Por, sipas tij, duhet gjetur një alternativë, sepse përmes rezervimit të vendeve në Kuvend, është vështirë i realizueshëm.

Ismaili ka kritikuar institucionet pasi nuk kanë bërë shumë që nga përfundimi i luftës për diasporën. Madje, sipas tij, vetëm gjatë kohës kur vijnë mërgimtarët, institucionet mbushen me folklor, por që nuk bëhet asgjë për t’iu krijuar kushte qoftë për investime, qoftë për ardhjen e tyre më të lehtë në Kosovë, kur dihet se paguajnë shumë të mëdha parash duke mos pasur Kartonin e Gjelbër, por edhe çmimi i biletave.