Porta e Brandenburgut u ndërtua gjatë viteve 1788 dhe 1791

Porta e Brandenburgut u ndërtua gjatë viteve 1788 dhe 1791

Të vizitosh pikat kryesore  turistike në Berlin duhen ditë të tëra, kjo ngase Berlini ka një sipërfaqe hiç më të vogël se 892 km2 dhe ka rreth 200 muze, shkruan rtv21.tv

Nga të gjitha këto, gazetarët e RTV21 zgjodhëm pikën turistike më të vizituar dhe më të famshme “Brandenburg Tor” apo “Porta e Brandenburgut”.

Çdo hap më afër kësaj porte kujton copëza historie të Berlinit të ndarë, skena të filmave të shumtë hollivudian por edhe pamje dokumentaresh filmik, të cilët përçonin dhimbje të kohës së nazizmit por edhe të kohës kur kjo portë ndante Berlinin në Lindje dhe Perëndim.

Porta e Berlinit e ka vlerën e monumentit më të rëndësishëm pikë referimi dhe simbol përgjatë dyqind vjetëve histori. Kjo portë shërbente edhe si vend ku organizoheshin manifestime të ndryshme, Heather Elis nga Guida Tutristike e Berlinit për shikuesit e RTV21 tregoi se kjo portë dhe ky shesh dikur ishin vendi ku parakalonin divizione të ushtrisë naziste.

Mu para kësaj porte janë mbajtur dy ndër fjalimet më të fuqishme të të gjitha kohërave. “Im a Berliner” me këtë shprehje mbahet mend fjalimi i presidentit amerikan John Kennedy i cili në fjalimin e tij në vitin  1963 para kësaj porte shprehi solidarizimin e Amerikës me banoret e Berlinit Perëndimor dhe lavdëroi karakterin, këmbënguljen dhe durimin në përpjekjet e tyre për liri.

Më vonë më 12 qershor 1987, Presidenti Ronald Reagan përball kësaj porte mbajti fjalimin e tij ku me këmbëngulje iu drejtua kundërshtarëve të tij në luftën e ftoftë në mënyrë kritike.

“Zoti Gorbaqov, rrënojeni ketë mur”  kjo ishte kërkesa e Presidentit Reagan drejtuar udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbacov.

Kur Gjermania u ribashkua pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, Porta e Brandenburgut shumë shpejt u bë simbol i Bashkimit, pasi zyrtarisht u hap për qarkullim me 22 dhjetor 1989 dhe 100 mijë njerëz u mblodhën për ta festuar këtë  ditë historike.

Fatkeqësisht kjo rezultoi edhe me dëme të konsiderueshme të monumentit dhe më pas u shfaq nevoja për riparime. Porta u rihapë për publik më 3 tetor 2002.

Kur flasim për portën, sigurisht që në mendje kemi pytjet se kur dhe pse u vendos të ndërtohej kjo portë, e cila sot është më e famshmja në botë. Porta u ndërtua për nevoja të mbretit, shkruan rtv21.tv

Porta e Brandenburgut u ndërtua gjatë viteve 1788 dhe 1791 sipas dizajnit të Karl Gotard Langhans, i cili ishte inspiruar nga porta hyrëse e Akropolisit në Athinë. Sovrani i Prusisë, Friedrich Wilhelm i II kërkonte zgjidhje të përshtatshme arkitekturale që të përmirësonte qasjen në bulevardin Unter Den Linden.

Punimi klasik i portës me rërë dhe farëra ishte mjeshtri e jashtëzakonshme e kohës, i vetmi ndërtim i mbijetuar nga 18 tjera që ishin ndërtuar me pare.

Quadriga dhe katër kuajt e fuqishëm që ndodhen në krye të portës përfaqëson Hyjneshën e Fitores nga Johan Gotfrid Shadow dhe mund të vërehet edhe nga distanca të largëta dhe të ndryshme të Berlinit.

Hyjnesha e Fitores u ndërtua mbi portë përgjatë viteve 1806 – 1814, më vonë statuja e famshme u rrëmbye dhe u mbajt në Francë si trofe i Napolon Bonapartes përgjatë rivalitetit ushtarak ndërmjet Francës dhe Prusisë për dominimin imperial. Gjatë Luftës se Dytë Botërore,  Porta e Brandenburgut u dëmtua mirëpo i mbijetoi bombardimeve të Forcave Aleate./21Media