Mit’hati do të mund të ecë falë ndihmës së “Edhe unë jam Kosovë” dhe Halil Kastratit

Mit’hati do të mund të ecë falë ndihmës së “Edhe unë jam Kosovë” dhe Halil Kastratit

Vuajtjeve të Mit’hat Parashumtit u erdhi fundi. Rasti shumë specifik i të cilit u pasqyrua në emisionin “Edhe unë jam Kosovë” të RTV21, në muajin korrik, pati shumë jehonë. Njëri bamirës që u lajmërua për ta ndihmuar Mit’hatin është Halil Kastrati nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

Kastrati mori përsipër që ta shëroj  Mit’hatin. Ky i fundit po trajtohet pasi iu nënshtrua një intervenimi kirurgjik, falë ndihmës së bamirësit Halil Kastrati, misionit të të cilit do t’i bashkohet Mit’hati pas ca muajsh kur do të ecë tërësisht.

Emocionet sa vinin e shtoheshin kur Mit’hatit iu kërkua nga Kastrati që t’ia sjellë për vizitë të ëmën me të cilën Mit’hati nuk është takuar që shumë vjet, shkruan rtv21.tv

5 vjetët e tij të jetës në një bodrum të lagjes Ulpiana ishin vitet më të vështira të jetës së tij, ngase lagështia e tepërt bëri që t’i dëmtohet palca kurrizore e t’i paralizohen gjymtyrët e poshtme. Por kjo nuk është historia më e dhimbshme tij. Ajo që të bënë të ndihesh keq edhe më shumë është se Mit’hati mbeti pa përkujdesen e askujt, ndonëse kërkoi ndihmë.

Në mungesë vendstrehimi e me shëndet të rënduar për 1 muaj e gjysmë ai qëndroi në spital ku u takua me dy bamirës të cilët i dhanë shpresë se do të kujdesen për të dhe do t’i sigurojnë një shtëpi qiranë e së cilës do t’ja paguajnë ata. E dërguan në shtëpinë e një serbi në Graqanicë, ndërsa bamirësit nuk u dukën më asnjëherë. Mit’hati tash e 1 vjet ju bë barrë pronarit serb, i cili nuk po e lë të vdes për bukë e për gjërat elementare për jetë.

Dr Evren Fehmi Atay, njëherësh pronar i spitalit Ortomedica në Prizren, i cili bëri zbritje çmimi për rastin e Mit’hatit, tha se nuk besoi as vet për një rezultat kaq të shpejtë pas intervenimit.

Ne kishim të bëjmë me një pacient i cili për shkak të ngushtimit të nervit prej 4 vjetësh i kishte humbur ndjesitë e këmbëve rrjedhimisht dhe të ecurit. Ai vetëm disa orë pas operacionit të shtyllës kurrizore filloi t’i lëvizë këmbët dhe të ecë. Nuk ishte dhe aq operacion i lehtë, por rëndësi ka që çdo gjë shkoi shumë mirë dhe rezultati na mrekulloi sikurse Mit’hatin ashtu dhe ne”, tha doktori.

Nuk thuhet rastësisht se në jetë mund të jetë  i vlefshëm vetëm 1 minutë për të ndryshuar gjithçka, kësaj here për të mirë./21Media