Dimitrov: Treni ka kaluar stacionin tonë, duhet të vrapojmë pas

Dimitrov i bëri thirrje opozitës që të përfshihet në mënyrë aktive në hartimin e politikës së jashtme

Pas 33 ditëve në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov thirret në komisionin për politikë të jashtme, për të dëshmuar për punën e bërë gjatë kësaj periudhe. Dimitrov përshëndeti këtë iniciative, dhe tha se është i gatshëm që së paku një herë në muaj të merre pjesë. Ai i bëri thirrje opozitës që të përfshihet në mënyrë aktive në hartimin e politikës së jashtme. Në fjalimin e tij, Dimitrov tha se çështja e emrit është problemi kryesor i Maqedonisë në rrugën për anëtarësim në NATO, por e potencoi edhe raportin e Komisionit Evropian, në të cilin Maqedonia përshkruhet si shtet i robëruar, si dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Interes kryesor i opozitës, ishte marrëveshja që Kryeministri Zaev e paralajmëroi se do të nënshkruhet me 2 shtator. Deputeti i VMRO DPMNE-së, Nikolla Popovski kërkoi transparencë më të madhe nga ministri Dimitrov, dhe kërkoi që ti zbulohet opinionit se cili është detali i fundit që u ka mbetur Ministrave të Jashtëm. Por ministri Dimitrov, nuk deshi të zbulojë më shumë detaje, me arsyetimin se mund ta dëmton procesin e bisedimeve.

“Kryeministri, Zoran Zaev shkoi në Sofje, dhe paralajmëroi se me 2 gusht do të nënshkruhet marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bulgarinë, se gjithçka është e rregulluar, dhe se ka mbetur një detaj i vogël që Ministrat e Punëve të Jashtme do ta rregullojnë me një kafe. Kam një pyetje konkrete, cili është ai detal i vogël që ministrat mund ta rregullojnë me kafe dhe muhabet, dhe mendoj se nëse është ashtu situata dhe keni vlerësuar se është ashtu, do të duhej që këto punë ti ndani edhe me opinionin”, u shpreh Nikolla Popovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

“E cekët transparencën… Unë mundohem që ministrinë ta bëj sa më transparente, dhe për këtë qëllim i kam deklasifikuar dokumentet të cilat mendoj se nuk duhet të jenë të klasifikuar, si harxhimet për rrugë, harxhimet për reprezentim dhe të tjera. Kryeministri Zaev është lider politik, dhe ai jep mesazhe politike… Mesazhi ishte që duam ta nënshkruajmë këtë marrëveshje. Nuk dua të hyjë në detaje sepse do të hartoja një rrugë që do ta dëgjonin të gjithë, sepse kjo është seancë publike”, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme.

Kryesuesi i këtij komisioni, Antonio Milloshoski doli me idenë që të mbahet seancë e mbyllur kur deputetet do të informoheshin për detajet rreth marrëveshjes me Bullgarinë, por koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Mirosllav Tuntev, tha se për këtë çështje duhet që të koordinohet me deputetet tjerë të shumicës parlamentare. Deputeti, Ilija Dimovski, ia tërhoqi vëmendjen ministrit Dimitrov, që të jetë i kujdesshëm në bisedimet me Greqinë, sepse partia e tij nuk do të lejojë prekjen e identitetit maqedonas, por ai ju përgjigj se edhe vetë është maqedonas dhe cenimi i identitetit nuk duhet të jetë brengë për qytetarët. Dimitrov foli edhe marrëdhëniet me fqinjët tjerë, ku potencoi se ka pasur kontakte me të gjitha shtetet. Ai paralajmëroi ardhjen e Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, si dhe paralajmëroi vizita në Kosovë dhe Shqipëri, posa të formohen qeveritë./21Media

Back to top button