"Nëse dëshmojnë se po e zbatojnë monitoringun, absolutisht nuk do të ketë kurrëfar problem"

“Nëse dëshmojnë se po e zbatojnë monitoringun, absolutisht nuk do të ketë kurrëfar problem”

Maqedonia e Veriut nuk mund të eksportojë mjaltë dhe patate në Kosovë, derisa nuk lejon që Kosova të importojë rasad të peshkut. Republika e Kosovës mund të importojë ikra dhe peshk të ri vetëm nëse zbaton monitoringun, thotë ministri të Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, Trajan Dimkovski. Kjo po bëhet përshkak se Maqedonia e Veriut dëshiron të krijojë standard, që vitin e ardhshëm të mund të eksportojë peshk në tregun evropian. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se në Kosovë nuk kanë sistem për mbikëqyrje të sëmundjeve të peshqve.

 “Përse nuk munden? Sepse nuk e zbatojnë monitoringun. Nuk ka ndalesë eksplicite, të themi sepse p.sh. këto produkte janë nga Republika e Kosovës, por masa dhe zbatimi i monitoringut vlen për të gjitha shtetet. Nëse dëshmojnë se po e zbatojnë monitoringun, absolutisht nuk do të ketë kurrëfar problem”, tha Trajan Dimkovski, ministër i Bujqësisë, raporton TV21.

Ministri kosovar për Tregti dhe Industri Endrit Shala dje tha se këtë masë reciproke e ka sjellë si përgjigje ndaj barrierave të paarsyetuara tarifore që Maqedonia ia ka vendosur Kosovës për rasadin e peshkut.

Masa të këtilla Shala ka paraparë për çdo shtet, që sipas tij, nuk sillet në mënyrë të barabartë ndaj produkteve kosovare.

“Kam marrë vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndaloj hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyroj shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”, u shpreh Endrit Shala, ministër për Tregti dhe Industri në Republikën e Kosovës.

Sipas analistit Burim Nasufi, bllokadat dhe luftërat tregtare në afat të shkurtër ndoshta funksionojnë, por në afat të gjatë nuk funksionojnë dhe koston shkon në dëm të konsumatorit.

“Maqedonia e Veriut kundrejt Kosovës pavarësisht problemeve të tjera, në aspektin ekonomik dhe tregtisë bilaterale duhet të jetë jashtëzakonisht më tolerante. Argumenti kryesor për këtë qëndron sepse Maqedonia në Kosovë eksporton produktet kryesore dhe është eksportuesi numër 1 në Kosovë. Tregu i Kosovës është jashtazakonisht i rëndësishëm sidomos për kompanitë, sidomos kompanitë e mesme të Maqedonisë. Në këtë rast duhet të jet më tolerante sepse Kosova për kundërpërgjigje është shumë e përgatitur”, deklaroi Burim Nasufi, analist i ekonomisë.

Maqedonia drejt Kosovës, çdo muaj eksporton mall në vlerë mbi 20 milion dollarë. Ndërkaq Maqedonia e Veriut gjatë vitit eksporton rreth 40 deri 1000 ton patate në Kosovë, ndërsa vlera e mjaltit të eksportuar në Kosovë arrin rreth 400.000 euro.

Të hënën do të mbahet mbledhje urgjente mes ministrit të Ekonomisë, atij të Bujqësisë si dhe drejtorit të Doganave dhe drejtorit të Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë ku do të ndërmerren aktivitete për të zgjidhur pasojat e masës së vendosur nga ana e Ministrisë së Kosovës./21Media