Diplomacia e Kosovës nuk arriti të përmbushë misionin e saj në jubileun e parë të shtetësisë së Kosovës, ani pse pati edhe disa të arritura

Diplomacia e Kosovës nuk arriti të përmbushë misionin e saj në jubileun e parë të shtetësisë së Kosovës, ani pse pati edhe disa të arritura

Mungesa e njohjeve të reja në vitet e fundit, mos anëtarësimi në organizata të rëndësishme, si UNESCO, INTERPOL e tjera, politizimi i skajshëm i shërbimit diplomatik e mos koordinimi mes institucioneve të vendit janë problemet që e kanë përcjellë diplomacinë kosovare për dhjetë vjet shtet.

Analistë e deputetë vlerësojnë se ka mundur të bëhet me shumë dhe se nuk është prezantuar ashtu siç duhet në arenën ndërkombëtare.

Analisti Imer Mushkolaj tha se arritjet më të mëdha në diplomacinë kosovare janë bërë falë kontributit të shteteve mike të Kosovës, e jo aq shumë për shkak të punës së diplomacisë kosovare.

Mushkolaj përmendi njohjet që kanë ardhur për shtetin e Kosovës, ku pjesa më e madhe e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën kanë ndodhur në vitet e para pas pavarësisë dhe po del se ato janë arritur falë kontributit që kanë dhënë shtetet mike të Kosovës, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania.

Mos ardhja e njohjeve të reja, sipas Mushkolajt është si rezultat i dy problemeve, e që janë Rusia dhe Spanja.

Jo të kënaqur me arritjet në diplomacinë kosovare janë edhe deputetët e partive politike. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra vlerësoi se është bërë një punë e mirë, por jo e kënaqshme në shërbimin diplomatik.

Ajo përmendi edhe mungesën e koordinimit mes institucioneve që merren me diplomacinë, e cila sipas saj, ka shkaktuar edhe mungesë të rezultateve.

Edhe deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu tha se nuk u arritë ajo që është dashur në diplomacinë kosovare. Ai përmendi dy grupe në të cilat ka ngecur diplomacia kosovare për të arritur sukses edhe më të madh, qoftë në sjelljen e më shumë njohjeve, anëtarësimit në organizata rajonale e ndërkombëtare.

Duke folur për njohjet, Sejdiu tha se pikërisht këto dy çështje lidhen me njohjet sepse po të shfrytëzoheshin këto përparësi të Kosovës, atëherë do të kishte me shumë njohje në këtë jubile. Madje shtoi se kishte shpresuar se deri tani Kosova do të kishte numër të mjaftueshëm të njohjeve.

Ministri i parë i Punëve të Jashtme pas shpalljes së pavarësisë ishte Skënder Hyseni, derisa pas tij ishte Enver Hoxhaj, Hashim Thaçi, përsëri Enver Hoxhaj dhe aktualisht është Behgjet Pacolli.