Disa fshatra bëhen me ujësjellës të ri

Vlera e investimit kap shumën rreth 300 mijë euro

Komuna e Gjilanit dhe Kompania Regjionale e Ujit “Hidromorava, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për realizimin e projektit të ndërtimit të sistemit të ujësjellësit për fshatrat Bilinicë, Verbicë e Kmetocit, Vrapqiq dhe lagjen Porodin, ku vlera e investimit kap shumën rreth 300 mijë euro.

Nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, ka thënë se këto vendbanime asnjëherë nuk janë furnizuar me ujë të pijes dhe domosdoshmëri ka qenë rregullimi i ujësjellësit.

“Nga kjo marrëveshje Komuna e Gjilanit merr përgjegjësinë e financimit të projektit në tërësi, ndërsa KRU “Hidrimorava”, merr përgjegjësinë e udhëheqjes së të gjitha procedurave të tenderimit dhe mbikëqyrjes së punimeve deri në finalizimin e tyre”, ka thënë Kadriu.

Ai ka potencuar se në këto lokalitete Komuna e Gjilanit ka investuar edhe më parë në infrastrukturë si në rrugë, trotuare, ndriçim publik, apo projekte të tjera të ndryshme, mirëpo në këtë fazë do të investohet ujësjellësi, në bazë të standardeve të larta dhe me planifikime afatgjatë.

“Kemi investuar në forma të ndryshme nëpër këto lokalitete, mirëpo mungesa e ujit ka qenë barrë e rëndë për banorët e këtyre vendbanimeve. Fatkeqësisht shpeshherë edhe shkaku kryesor i braktisjes së fshatin ka qenë si pasoj e mungesës së ujit. Vlera e këtij projekti në tërësi është mbi 300 mijë euro”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për këtë investim dhe njëkohësisht ka bërë të ditur se në këto lokalitete prioritare ka qenë prej kohësh ujësjellësi sepse asnjëherë nuk ka pas zgjidhje për këtë problem.

Ndryshe, ky projekt i përbashkët pritet të kryhet në një kohë rekorde, pasi që nevoja për ujë është shumë e madhe.

Back to top button