Diskutohen rekomandimet mbi projektligjin për administratën tatimore

Hoti njoftoi pranishmit mbi ndryshimet që parashihen në këtë projektligj

Ndryshimet e parapara mbi projektligjin për administratën tatimore dhe procedura paraqesin një hap të rëndësishëm në legjislacionin tatimor, megjithatë dispozita të caktuara kërkojnë qartësim të mëtutjeshëm.

Kështu u tha sot gjatë një tryeze të organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me biznese dhe profesionistët e kontabilitetit.

Në këtë tryezë u diskutuan komentet dhe rekomandimet mbi projektligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i cili parasheh ndryshime dhe plotësime substanciale në krahasim nga ligji paraprak.

Udhëheqësi i Departamentit të Kontrollit të Cilësisë në SHKCAK, Arbër Hoti njoftoi të pranishmit mbi ndryshimet të cilat parashihen në këtë projektligj në lidhje me deklaratat tatimore, vetë-vlerësimin, pagesat, interesin, kreditimet, rimbursimet, etj.

Ai prezantoi disa nga rekomandimet e bëra nga ShKCAK të cilat përfshijnë lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve si dhe qartësimin e neneve të caktuara në legjislacion tatimor.

Kryesuesja e Komitetit Tatimor të Odës Amerikane, Gresë Rexhepi tha se themelimi i Bordit të Ankesave do të lehtësojë veprimtarinë e bizneseve, ku ankesat e tyre tashmë do të trajtohen brenda afatit kohor prej 30 ditëve.

Ajo tha se plotësimet dhe ndryshimet e parapara mbi projektligjin për administratën tatimore dhe procedura paraqesin një hap të rëndësishëm në legjislacionin tatimor, megjithatë dispozita të caktuara kërkojnë qartësim të mëtutjeshëm.

Ndërsa kryesuesi i Komitetit Tatimor në ShKCAK, Fahri Breznica tha se rëndësi e madhe duhet t’iu kushtohet të drejtave të tatimpaguesve, qasja e Administratës Tatimore të Kosovës ndaj tyre, si dhe dokumentimi gjetjeve të raporteve të kontrollit.

Back to top button