Diskutohet për reformën e autoriteteve tatimore

Pjesëmarrëse në këtë samit përfaqësues nga shtetet e rajonit

Nga data 13 deri me 15 qershor 2019, në Beçiq është mbajtur samiti rajonal me temën “Stabiliteti Financiar dhe monetar në rajon, në një klimë të rritjes së ngadalshme në Eurozonë” i guvernatorëve, ministrave të financave dhe drejtorëve të administratave tatimore. Pjesëmarrës në këtë samit ishin përfaqësues nga shtetet rajonale si: Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia.

Në panelin e Drejtorëve të Administratave Tatimore, temë diskutimi ishte “Reforma e autoriteteve tatimore dhe lufta kundër ekonomisë së hirtë”, në të cilin ishte Drejtor i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj.

“Në këtë samit drejtori Murtezaj ka prezantuar të arriturat e ATK-së në funksion të përmbushjes tatimore, si dhe në luftimin e dukurive të ekonomisë joformale si njëra nga rreziqet kyçe të konkurrencës së drejt në biznes. Ndër tjera, drejtori i ATK-së ka folur edhe për sistemin tatimor të Kosovës, i cili vlerësohet relativisht i thjeshtë, me norma të ulëta tatimore, shtet me politika fiskale të orientuara drejt nxitjes së investimeve dhe prodhimit të brendshëm dhe gjithashtu krijimit të një ambienti atraktiv për investimet e huaja.”, bëhet e ditur në komunikatën e ATK-së.

Po ashtu, në komunikatë bëhet e ditur se drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Murtezaj foli edhe rreth stabilitetit financiar, ku në ATK ka pas një ngritje të përmbushjes tatimore dhe një trend pozitiv në të hyra, si rezultat i një partneriteti me tatimpagues, krijimit të lehtësive për tatimpaguesit e rregullt dhe hetimin e tatimpaguesve që bëjnë shmangie në pagesën e tatimeve.

Që të realizohet misioni i ATK-së është bërë identifikimi i rreziqeve të përmbushjes tatimore, janë hartuar planet operative për trajtimin e rreziqeve dhe është përshtatur shpërndarja e resurseve për trajtimin e tyre.

Ky samit është një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave, si dhe krijimin e një dialogu për luftimin e dukurive negative në përmbushjen e tatimeve./21Media

Back to top button