29 vjet nga bashkimi i Gjermanisë

29 vjet nga bashkimi i Gjermanisë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shënuar sot Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Ambasadori Christian Heldt ka pritur sot liderë institucional e politik, njerëz nga arti e kultura, biznesi e shoqëria civile për të shënuar këtë ngjarje të cilën e ka konsideruar si shumë të rëndësishme për Gjermaninë. Në fjalën e tij, ambasadori gjerman tha se ky vit shënon përvjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, që e quajti një prej momenteve më të gëzueshme në historinë gjermane që siç tha ai, kuptimi i saj shkon përtej Gjermanisë Lindore.

Christian Heldt foli edhe për angazhimin e gjermanëve në Kosovë, ku tha se tashmë shënon 20 vjet. Sipas tij, Gjermania vazhdon të punojë me ngulm përkrah Kosovës. “Fillimi i angazhimit tonë gjerman për këtë vend dhe qytetarët e tij pas luftës së tmerrshme të vitit 1999, tashmë shënon 20 vjet. Gjermania edhe më tej punon me ngulm përkrah Kosovës në mënyrë për të përmirësuar kushtet e jetës dhe që njerëzit në rrethana normale të mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre këtu”, tha ai.

Duke kujtuar një prej ngjarjeve më të mëdha të Gjermanisë, rrëzimin e Murtit të Berlinit, ambasadori Heldt tha se këtë përvjetor do ta shënojnë me një sërë aktivitetesh përcjellëse edhe në Kosovë. Ai tha se çdo gjë ndodhi 30 vjet më parë me demonstratën e parë të madhe që paralajmëroi kthesën që po vinte. Sipas tij, mbi të gjitha, ishte një paralajmërim i njerëzve të guximshëm, meqë siç tha ai, askush nuk e kishte paraparë që një ditë njerëzit do të ngopeshin me degradimin e kushteve të jetesës dhe mungesën e lirisë së përditshme. “Por më e keqja nga të gjitha ka qenë mungesa e lirisë. Vetëm pak njerëz kanë guxuar të kundërshtojnë shtetin e pranishëm kudo, në punë, në jetën private, madje edhe në dhomën e gjumit. Instrumentet e frikësimit dhe kontrollit kanë qenë sa ngjarje horrori dhe të fuqishme, aq edhe qëllim për të kontrolluar të gjithë popullsinë. Dhe kjo është ajo që solli ndryshimin e papritur. Njerëzit nuk donin më t’iu tregojnë çka të mendojnë, çfarë të bëjnë, si të votojnë. Ata e dinin që sistemi ishte i manipuluar, ata donin që të dëgjoheshin, donin të kishin një demokraci të vërtetë, një mundësi dhe përfundimisht donin të vendosnin për vetveten”, tha ai.

Ai tha se njerëzit luftuan për demokraci të vërtetë dhe disa muaj më vonë, në mars të vitit 1990 u mbajtën zgjedhjet e para vërtetë demokratike.

Ai përmendi kancelaren gjermane Angela Merkel, ku tha kjo ishte koha kur një shkencëtare e re mori përsipër pozitën e saj të parë politike si zëvendës-zëdhënëse e qeverisë së parë të zgjedhur në zgjedhjet e lira. “Në Berlin secili qytetar sot mund të ec nëpër kupolë në ndërtesën e parlamentit tonë, Rechstag-ut, duke qëndruar mbi sallën ku mbahen mbledhjet plenare të parlamentarëve. Kjo ka një vlerë shumë të madhe simbolike: Sovrani është populli dhe askush tjetër. Ne në Gjermani është dashur ta mësojmë këtë në mënyrë të dhimbshme. Është një proces i mësimit pa mbarim, demokracia duhet mbrojtur dhe çmuar çdo ditë. Është një sistem i cili kërkon përgjegjës ngatë gjithë. Ai bëhet i ndjeshëm sapo t’i marrim gjërat si normale, apo thjeshtë t’i qojmë duart”, tha Heldt.

Ambasadori gjerman në Kosovë tha se 30 vjet më parë ndodhi një histori mahnitëse e cila u zhvillua duke u shndërruar në një ndryshim të vërtetë në mbarë Evropën Qendrore dhe Lindore. Ai theksoi se u mbesin borxh qytetarëve të guximshëm të cilët i mbajtën lartë vlerat duke luftuar paqësisht për të drejtat e tyre, për liri dhe demokraci.

Nga ana tjetër Presidenti i Republikes së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar popullin gjerman për Ditën e Unitetit Gjerman. “Tre tetori i vitit 1990 është ditë historike për Gjermaninë, por edhe për tërë demokracitë e botës. Ajo ditë shënon të arritur konkrete të procesit të filluar me shembjen e Murit të Berlinit, e që më vonë do të rritej në një frymë të përgjithshme të ndryshimeve politike në tërë Europën, duke vënë vlerat dhe parimet e lirisë e demokracisë mbi parimet tjera. Kjo ditë ka frymëzuar të gjitha lëvizjet demokratike në Europë e më gjerë, përfshirë edhe Kosovën, për t’u angazhuar për të drejtat dhe liritë qytetare të çdo populli. Duke kujtuar këtë ditë, shprehim mirënjohjen dhe respektin për të gjithë ato gra e ata burra që u angazhuar për të mbajtur gjallë frymën e lirisë e barazisë.“, ka shkruar ai në Facebook.

Më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt./21Media