“Çohu për të drejtat e njeriut”

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Avokati i Popullit në bashkëpunim me shoqërinë civile në Kosovë, për të tretin vit me radhë vazhdon me iniciativën e përbashkët për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Edhe këtë vit për nder të shënimit e 10 Dhjetorit do të organizohet marshi me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”.

Kjo iniciativë ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me theks të veçantë për mbrojtjen e së drejtës për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

Marshi “Çohu për të drejtat e njeriut”, fillon prej orës 12:00, nga sheshi “Skënderbeu” dhe vazhdon deri në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Marshi përmbyllet me nga një fjalim rasti nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, dhe Jeta Xharra, nga shoqëria civile.

Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Asambleja e Përgjithshme shpalli këtë deklaratë si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.

Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./21Media

Back to top button