Shumë rrugë në kryeqytet kanë qenë të mbyllura për qarkullim nga automjetet

Shumë rrugë në kryeqytet kanë qenë të mbyllura për qarkullim nga automjetet

Me moton “Ec me ne”, edhe këtë vit është shënuar Java Evropiane e Mobilitetit, e cila ka për qëllim të inkurajojë qytetet që të prezantojnë dhe promovojnë masa të qëndrueshme të transportit dhe të ftohen njerëzit të provojnë alternativa tjera të lëvizjes kundrejt përdorimit të automjeteve.

Në kuadër të kësaj jave, sot në kryeqytet po mbahen organizimeve të ndryshme, duke përmbyllur këtë javë, e cila ka nisur më 16 shtator e organizuar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian.

Krahas kësaj, në përmbyllje të kësaj jave, shumë rrugë në kryeqytet kanë qenë të mbyllura për qarkullim nga automjetet.

Vjosa Podgorica, organizatore e Javës së Mobilitetit, tha se ky organizim është i përvitshëm, derisa ka treguar se cili është qëllimi i këtyre organizimeve.

“Për me i motivu dhe ftu njerëzit me i përdor më shumë format aktive të lëvizjes, ecjen edhe çiklizmin. Në kuadër të këtyre aktiviteteve kemi pasur edhe ekspozitën në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku i kemi informuar njërëzit për masat që kanë me u ndërmarrë për ecje dhe çiklizëm. Kemi pasur edhe një poligon që e kemi demonstruar në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, por e kemi shënuar edhe një shteg për çiklistë në rrugën “Zagrebi”. Sot është dita kulminante e javës që është dita pa automjete”, tha ajo.

Krahas kësaj, drejtori i Rinisë dhe Sportit, Fitim Rexha tha se ndryshimi i shprehive merr kohë, por që sipas tij, Komuna e Prishtinës po synon që të motivojë qytetarët për ecje dhe çiklizëm.

“Prej orës 14:50 e kemi organizuar edhe një çiklizëm i cili do të përshkoj këtë rrugë dhe gjithashtu do të jetë në kuadër të sensibilizimit të qytetarëve lidhur me këtë ditë”, tha Rexha.

E Learta Hollaj, përgjegjëse për kordinimin e Javës Evropiane të Mobilitetit, tha se përveç kësaj, ka pasur edhe shumë aktivitete tjera, me tema si çështja e mjedisit, energjisë, mbeturinave, barazia gjinore.

“Janë aktivitete me të rinjë, kuize, muzikë, argëtim, çiklizëm… të rinjtë janë të interesuar, në fakt i gjithë problemi është se si i gjen kanalet për të komunikuar me ta.. kemi menduar që të ulim numrin e konferencave dhe të bëjmë sa më shumë aktivitete në hapësira, në qytete, sheshe, rrugë”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, Java Evropiane e Mobilitetit mbahet çdo vit nga 16-22 shtator, ndër si e tillë organizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.