Ky panair do të jetë i hapur deri më 27 korrik

Ky panair do të jetë i hapur deri më 27 korrik

Është hapur sot panairi me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale në kuadër të “Ditëve të diasporës”, panair ky që do të qëndrojë i hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deri më 27 korrik.

Zëvendësministri i Diasporës, Isni Kilaj, u shpreh i lumtur me hapjen e këtij panairi, teksa bëri të ditur se kjo ministri për dy muaj rresht do të organizojë aktivitete të ndryshme në tërë vendin.

“Ky panair i artizanaleve ka po këtë mesazh, po këtë qëllim, sepse ne jemi të interesuar të jemi afër diasporës. Ne ju ftojmë të gjithë juve që të merrni pjesë në këtë panair, sidomos mërgimtarët që të kontribuojnë edhe në këtë aspekt”, tha ai.

Ai bëri të ditur se në kuadër të Ditëve të Diasporës, më 6 gusht në sheshin “Skënderbeu” do të organizohet edhe Sofra e Diasporës.

“Ministria e Diasporës dhe Investimeve strategjike për dy muaj rresht  i ka zhvendosur aktivitetet në Kosovë sepse gjatë muajve tjerë ne bëjmë aktivitete dhe organizime të ndryshme të diasporës jashtë. Gjatë këtyre dy muajve ne jemi prezent këtu, bashkë me ju që të mbështesim dhe të sensibilizojmë mërgatën tonë që të mbajnë gjallë jetën shqiptare kudo që janë”, tha ai.

Jehona Abdullahu Dabiqi, e cila ka ardhur nga Deçani për t’u ofruar qytetarëve dhe mërgimtarëve mjaltin vendor, u shpreh e kënaqur me organizimin e këtij panairi.

“Nëpër panaire marrë pjesë shumë shpesh, prej vitit 2015 si biznes dhe i kemi afër 700 bletë dhe çdo herë prezantoj prodhimet e mia të bletëve, mjaltin… Nga ky panair pres që diaspora dhe qytetarët të konsumojnë prodhimet vendore”, u shpreh ajo.

Ndryshe, ky panair do të qëndrojë i hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deri më 27 korrik.