"Unë kam lind në vitin e luftës"

“Unë kam lind në vitin e luftës”

Në kuadër të jubileut të 20- të të ndërhyrjes se NATO-se në Kosovë dje në sheshin “Skëndërbeu” është mbajtur tubimi qendror ku të pranishëm ishin edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-Sekretarja, Madeleine Albright, ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, kreu i shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shumë emra të tjerë.

Këtë ditë e festuan të gjithë kosovarët, madje edhe gjeneratat të cilat për luftën kanë dëgjuar vetëm nga historia e Kosovës.
Në mesin e tyre është edhe djali i vetëm i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili ka lindur në vitin e luftës. Mirëpo, për dallim nga moshatarët e tij, Endriti dje pati fatin ta takojë për së afërmi ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, shkruan rtv21.tv

Endriti tashmë 20-vjeçar, ka treguar se ai ka marr disa këshilla nga njeriu i historisë së luftës dhe paqes së Kosovës.

Nga ky takim Endriti ka publikuar disa fotografi bashkë me Bill Clintonin dhe babain e tij.

“Unë kam lind në vitin e luftës por jam rritë duke dëgjuar rrëfime për njeriun e paqes – Presidentin Bill Clinton. Tani si student pata nderin e madh ta takoj por edhe të dëgjoj ca këshilla nga ky njeri i historisë së luftës dhe paqes të vendit tim”, ka shkruar Endriti në Instagram.

Trupat e NATO-s më 12 Qershor ishin futur në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë i kishte paraprirë një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë. Hyrja e trupave të NATO-s ishte bërë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova./21Media