Alvin Berisha i buzëqeshur jashtë kampit të Sirisë

Alvin Berisha i buzëqeshur jashtë kampit të Sirisë

I qeshur dhe me kapelen e kuqe dhe stemën e Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane, Alvin duket i ulur pranë një punonjësi të organizatës dhe shikon në telefon.

Është siguruar fotoja e djaloshit i cili kishte mbetur në kampin e të burgosurve Al Hole në Siri dhe u ndërmor një operacion për lirimin e tij pas publikimit të historisë në media.

Për nxjerrjen nga kampi të Alvin Berishës u angazhuan dhe inteligjenca italiane si dhe konsullata shqiptare.

Gazetarja e Ora News, Alba Kepi informon se aktualisht Alvini ndodhet në ambasadën italiane në Bejrut. Burimet bëjnë me dije se së shpejti pritet të shkojë në Romë.

Pritet të mbahet një konferencë për shtyp.

Alvini u largua bashkë me nënën e tij në Siri vitin 2014, kur ishte ende në moshën 6 vjeçare. Nëna e tij Valbona Berisha, e lindur në Durrës në vitin 1982 emigroi në Itali, ku dhe ra pre e propagandës fetare radikale islamike.

Ajo humbi jetën nga një bombardim kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, ngjarje gjatë të cilës u plagos rëndë edhe Alvini.

Aktualisht ai është në moshën 11 vjeçare./oranews