Njëri nga aktorët arriti ta mposhtë fobinë e tij

Njëri nga aktorët arriti ta mposhtë fobinë e tij

Lum Veseli është ngjitur për herë të parë në një lartësi, të cilën gjithnjë e kishte fobi. Aktori Veseli që ka luajtur në filmin “Shok” e që kishte garuar për çmimin Oscar, bashkë me kolegun e tij Andi Bajgora kanë marr pjesë sot në Zip-line-trip aktivitet që është organizuar në bjeshkët e Rugovës për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Edhe Veseli edhe Bajgora thanë se për ta ky aktivitet ishte një përjetim i ri të cilin nuk e kanë provuar më parë. Madje Veseli tha se fobinë që gjithnjë e kishte pasur nga lartësia e ka mposhtur.

Aktori i ri nuk ka harruar që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ua urojë 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Për shokun e tij nga filmi “Shok” Andi Bajgora kjo ishte një eksperiencë e re dhe është shprehur i kënaqur që ka qenë pjesë e këtij organizimi dhe që e ka përjetuar një sfidë të tillë.

Organizimi i kësaj ngjarjeje është bërë nga këshilli Organizativ për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, të cilët kanë paralajmëruar edhe aktivitete tjera deri më 17 shkurt.

Përveç Lum Veselit dhe Andi Bajgorës, Zip-line-trip e kanë provuar edhe aktorët, Donika Zeqiri, Florist Bajgora dhe Almir Suhodolli.

Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës sot është organizuar edhe një vrapim prej 50 kilometrash nga Klina për në Gllogjan e deri në Koshare, i cili është organizuar nga Shoqata e Vrapimit, që ndryshe është quajtur  “Vrapimi i Pavarësisë”.