“Do të rritet numri i zyrtarëve që do të deklarojnë pasurinë”

Ministri Tahiri ka falënderuar përfaqësuesit e UNDP-së  për mbështetjen e tyre

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim, Këshilltarin e Lartë për Masat Kundër Korrupsionit në Zyrën Qendrore të UNDP-së, Euy-Ëhan Kim, me të cilin ka biseduar për përmirësimin e infrastrukturës normative në luftën kundër korrupsionit, bënë të ditur Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media.

Tahiri ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nga UNDP në përpjekjet e Republikës së Kosovës për të ndërtuar një qasje me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Kjo mbështetje është duke vazhduar edhe në kuadër të agjendës legjislative të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri ka njoftuar përfaqësuesit e UNDP-së me orientimin e politikave publike të kësaj fushe, duke bërë të ditur se në kuadër të Pakos së Ligjeve Kundër Korrupsionit, është duke u punuar në hartimin e dy projektligjeve të reja, përkatësisht atij për Deklarimin e Pasurisë dhe për mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilat do të sjellin një perspektivë më të fuqishme që nxitë parandalimin efikas të abuzimit dhe keqpërdorimit me paranë publike, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Me këtë rast, Tahiri ka njoftuar përfaqësuesit e UNDP-së se në këtë fushë janë paraparë ndryshime përmbajtjesore, duke filluar nga rritja e numrit të zyrtarëve që do të deklarojnë pasurinë, tek kontrolli efikas i të dhënave të deklaruara, deklarimi në formë elektronike dhe masat tjera që do të përcaktojnë qartë rolin dhe mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, me fokus në parandalim. /21Media 

Back to top button