MASHT rrit masat e sigurisë në shkolla

MASHT rrit masat e sigurisë në shkolla

Deri në përfundim të këtij viti shkollor do të shtohen patrullat policore në shkolla. Ky vendim është marrë sot nga Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi në bashkëpunim me ministrin e punëvë të brendshme Ekrem Mustafa.

“Pas shumë diskutimeve rreth marrjes së përgjegjësive nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit dhe sigurisë, kemi ardhur në përfundim që, zgjidhje afatshkurtër deri në përfundim të vitit shkollor, të jetë shtimi patrullave policore në shkolla dhe hartimi i planit për kontroll rutinore të nxënësve nga drejtorët e shkollave, për të cilin plan policia duhet të njoftohet përmes DKA-ve.
Me ministrin Mustafa, përfaqësuesin e Policisë dhe Kolegjiumit të DKA-ve, po ashtu, u pajtuam që pas përfundimit të vitit shkollor të bëhet krijimi i Task Forcës për parandalimin e përdorimit të narkotikëve dhe shtimin e sigurisë në shkolla.”, ka shkruar Bytyqi në Facebook, pas takimit që ka mbajtur ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa me bashkëpunëtorë, drejtorin e operacioneve në Policinë e Kosovës, z. Afrim Ahmeti dhe zëvendëskryetarin e Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, z. Blerim Thaqi.

Po ashtu ai ka njoftuar se në këtë takim, ka ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të kërkojnë nga drejtorët e shkollave të mbajnë mbledhje urgjente me prindër, për të diskutuar sigurinë në shkolla dhe planet për ta përmirësuar atë dhe të kërkohet nga drejtorët e shkollave të raportohen të gjitha rastet e dhunës apo incidentet në polici./21Media