Ipeshkvi ka kërkuar edhe dialog mes shqiptarëve

Ipeshkvi ka kërkuar edhe dialog mes shqiptarëve

Në Meshën qendrore të Pashkëve, që sonte është mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji ka qenë kritik ndaj shoqërisë civile, politikës, e në veçanti ka kritikuar mediat për prehjen e lajmeve të pavërteta, që po ndikojnë në largimin e të rinjve nga Kosova.

Imzot Dodë Gjergji po ashtu ka theksuar se është e papranueshme që dikush t’i mohojë krimet që i ka kryer në të kaluarën, ndërsa veç dialogut ndëretnik mes popujve, ka kërkuar edhe dialog mes shqiptarëve, për të parë të ardhmen tonë.

Në mesazhin e Meshës së Pashkëve, Dodë Gjergji ka kujtuar ringjalljen e Krishtit.

“Nëpërmjet fesë që na është dhuruar prej tij dhe pagëzimit që kemi marrë, ne të gjithë në Kishë bëhemi bijtë e Hyjit. Nga ky zjarr kemi ndezur qiriun e Pashkëve, sepse nga zjarri i dashurisë së Hyjit tonë, shpërthen drita plotë shkëlqim. E kjo dritë është Krishti i ringjallur që ndritë Botën, ashtu sikurse qiriu i Pashkëve e ndritë natën e shenjtë të kësaj feste”, ka thënë Gjergji.

Ipeshkvi ka deklaruar se pasi Zoti krijoi qiellin dhe tokën, në fund e krijoi njerëzimin “që të na dojë dhe që ta duam”.

“Sikurse lutja që thashë në fillim, dhe agjërimi dhe lëmosha, janë mjete për ta përforcuar besimin tonë, ashtu edhe mundimi, vdekja dhe ngjallja e Krishtit, janë thelbi i Pashkëve që përbëjnë themelin e besimit, për të na dhuruar më anë të Jezu Krishtit dhe të Hyjit që e ngjalli atë”, ka deklaruar ai.

Ipeshkvi Gjergji ka cituar fjalët e Papa Françeskut, i cili ka thënë se “Pashkët janë ngjarje që sollën risi radikale për çdo qenie njerëzore, për Historinë dhe për mbarë Botën. Është triumfi i jetës mbi vdekjen. Është një festë e gëzimit të rigjenerimit”.

Ai ka folur edhe për kohën e tanishme, ku ka qenë kritik ndaj shoqërisë civile, politikës, e në veçanti ka kritikuar mediat për prehjen e lajmeve të pavërteta, që po ndikojnë në largimin e të rinjve nga Kosova.

“Po në kohën që po jetojmë, jemi të detyruar të përballemi me të vërtetat e hidhura që na zhgënjejnë, ose na i shuajnë idealet e dikurshme dhe na pamundësojnë të arrijmë të dëshiruarën që e kemi dashur shumë dhe që e duam ta kemi sot. Shpesh herë zhgënjehemi nga rruga e grupeve të shoqërisë civile dhe partive politike, por edhe të bashkësive fetare, e kur shtojmë këto edhe mediat që merren përgjegjësisht me të keqen dhe shpesh herë e rritin atë, duke e përhapur lajmin e rrem ose gjysmën e së vërtetës, krijohet një përshtypje e përgjithshme, se në vendin tonë nuk ka të ardhme. Kështu është krijuar opinioni se nuk ia vlen më punuar, me sakrifikuar edhe pak dhe me dashtë këtë vend. Në këtë mënyrë, po thuajse të gjithë punojmë kundër vetës sonë, dhe bëhemi bashkëpjesëmarrës në rrënimin e të ardhmes, duke ia vrarë çdo ditë pak nga pak njëri-tjetrit shpresën”, ka deklaruar Ipeshkvi Dodë Gjergji.

Gjergji ka bërë thirrje që nëpërmjet përvojës së Krishtit të arrijmë ta ngrisim shikimin tonë përtej dëshirave të kohës dhe mëtanë të keqes sonë, të shikojmë në sakrificën tonë edhe kur ajo është e përbuzur dhe të shikojmë në dashurinë tonë, edhe kur ajo është e nëpërkëmbur, duke besuar se Zoti do ta shpërblejë mundin e tij dhe dashurinë e tij.

Dodë Gjergji ka kërkuar që të ndërtohet shteti të cilin e kemi dëshiruar të gjithë, duke e ndërtuar shtetin për brezin e ardhshëm, që fëmijët të jetojnë në frymën e shtetit tonë. Po ashtu, Dodë Gjergji ka kërkuar që ata që kanë kryer krime në të kaluarën, të mos i mohojnë ato.

“Në anën tjetër është e pa pranueshme që dikush të mohojë krimet që vet i ka bërë në të kaluarën, sikurse nuk duhet ta heshtim mundësinë e përafrimit nëpërmjet dialogut, deri sa të arrihet paqja dhe pajtimi në mes popujve. Pse jo, edhe të shihet mundësia e fillimit të një dialogu ndërmjet shqiptarëve për të ardhmen tonë”, ka thënë Dodë Gjergji.