Dodë Gjergji: Evropa të ketë besim te populli shqiptar, mos ta shohin si rrezik

Mbrëmë është mbajtur mesha solemne e Krishtlindjes

Në Katedralen “Shën Nëna Terezë” në Prishtinë, mbrëmë është mbajtur mesha solemne e Krishtlindjes. Me këtë rast, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji kërkoi nga popujt e Evropa që të kenë më shumë besim tek populli shqiptar dhe të mos ta shohin si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit të vet.

Meshës i parapriu programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, të cilët dhanë një program festiv me recitale dhe këndime.

Ipeshkvi Dodë Gjergji, duke bërë thirrje për një jetë në paqe, tregoi se Shën Pali në letrën e tij thotë se Krishti është shpëtimtari jonë dhe do të na dhurojë të gjithëve jetën e pasosur.

“E çfarë duam ne në këtë tokë më shumë se sa të kemi paqe dhe të jetojmë në dashur me njëri-tjetrin. Dhe Shën Pali në letrën e tij, thotë Krishti është shpëtimtari jonë, ai do të na dhurojë të gjithëve jetën e pasosur. Dhe është mirë që në këtë natë të kremtojmë të gjithë së bashku, të pagëzuam dhe të papagëzuam, të huaj dhe të tanët, sepse kjo natë na bashkon të gjithëve si bijtë e një hyi, i cili më të vërtetë vjen me një thjeshtësi aq të madhe të një foshnje dhe me vajin e parë të fëmijës hynë në jetën tonë”, tha Ipeshkvi.

Dodë Gjergji theksoi se Jezusi i biri i Marisë, është Zoti ynë dhe shpëtimtari ynë, i cili do të na gjykojë me dashuri.

“Për ne që jemi pagëzuar dhe besojmë, do të dëshirojmë të thellohemi më tej në fe, sepse ne shpresojmë, sepse besojmë se Jezusi është prisi, shpëtimtari. Ai pra është mësuesi ynë shpirtëror, shoqëruesi ynë besnik në udhën e jetës, shpëtimtari ynë, i cili na dhuron jetën e përtejme”, theksoi Dodë Gjergji.

Ai theksoi se ne i besojmë dhe i shpalosim të gjitha fshehtësitë tonë Krishtit të lindur në Betelhem, duke ia besuar edhe jetën e vakjen, sepse ai na kupton, na beson dhe kurrë nuk na gjykon, i cili na mëson që të dialogojmë dhe të bisedojmë me njeri-tjetri.

“Sepse ne nuk duhet të kemi konflikte, por duhet të gjejmë rrugën e pajtimit, duhet të gjejmë fuqinë për të falur, duhet të gjejmë dashurinë për të përqafuar njëri-tjetrin me dashuri”, tha ai dhe tregoi se me lindjen e  Krishtit është hapur një dialog mes krijuesit dhe krijesës, për shpëtimin e Tokës dhe njerëzimit.

Ai pohoi se dialogu është parakusht i pajtimit dhe të mirës për paqe, buron nga vullneti i mirë dhe dëshira për të ardhmen më të mirë të të gjithëve, dhe askush nuk duhet të ndjehet i lodhur nga dialogu, dhe askush nuk duhet ta keqpërdorë apo ta mohojë nevojën për të.

Dodë Gjergji theksoi se rrugëtimi i popullit shqiptar drejtë familjes së popujve të qytetëruar evropian ka qenë tejet i vështirë dhe kjo është fituar me jetë, më mund dhe me gjak.

“Duhet të kemi kujdes, që asnjë ndëshkim i yni, ose padrejtësi që na bëhet nga të tjerët, të mos e rrezikojë bashkëpunimin tonë drejtë të ardhmes së popujve të Evropës dhe rajonit, sepse e dimë si kemi pësuar kur nuk jemi bashkuar. Ftoj edhe popujt e Evropës, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim të ne shqiptarët. Ne nuk na befason padrejtësia, sepse më të jemi mësuar në të kaluarën. Ne sot shpresojmë në drejtësi dhe barazi në mesin e popullit tonë. Mbi të gjitha, popujt e Evropës nuk duhet ta shohin popullin tim si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit të vet. Sidomos ftoj popujt që na rrethojnë, që të mos thurin plane për të ardhmen, duke na përjashtuar secilin prej nesh”, tha  Dodë Gjergji.

Festimi i Krishtlindjes do të vazhdojë edhe sot me mesha që do të mbahen në kishat e Kosovës, ndërsa Dodë Gjergji do të mbajë meshë në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren.

Back to top button