Në meshën solemne Dodë Gjergji ka ftuar politikanët që të garojnë me ndershmëri

Në meshën solemne Dodë Gjergji ka ftuar politikanët që të garojnë me ndershmëri

Në katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë, po mbahet mesha solemne e festës për Shën Nënën Terezë.

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, tha se me 5 shtator do të bashkohen gjithmonë në këtë katedrale, për të kujtuar Nënë Terezën. Sipas tij, ajo është modeli më i mirë i jetesës.

“Kjo murgeshë e shenjtë mbetet modeli më i mirë i jetesës, por edhe lidhet mirë me shembullin dhe realizimin e asaj që kemi lexuar në shkrimet e shenjta… nëse besimtarit i mungon lumturia edhe pse beson, atëherë lirisht mund të themi se edhe nëse po ta kemi fenë, atëherë është e kotë”, tha Dodë Gjergji.

Sipas tij, Nënë Tereza ka qenë shembulli më i mirë i praktikueses së atyre që janë të shkruara në shkrimet e shenjta.

Nënë Tereza është shembulli më i mirë për t’u edukuar dhe shërbyer. Çdo njeri pamarrë parasysh se në kë beson, ka nevojë të ketë këtë dashuri sikurse Nënë Tereza, që ishte dashuri për myslimanët, katolikët e të gjitha fetë. Me prushin e vet ngrohte zemrat e njerëzve përreth. Ajo arrinte të kujdesej për të varfëritë dhe të nxiste bujarinë për shumë njerëz në botë. Ajo mund të jetë frymëzim edhe për ata që nuk besojnë”, tha ai.

Derisa vendi është në prag të zgjedhjeve, Dodë Gjergji pati një porosi për përfaqësuesit politikë.

“Nuk është e tepër që t’i ftojmë politikanët tanë që të garojnë me ndershmëri, nëse duan të qeverisin për të mirën e të gjithëve”, ka thënë ai mes tjerash.

Sot bëhen 22 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shën Nënë Tereza.

Ditëfesta liturgjike e Shën Nënë Terezës do të kremtohet solemnisht në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.