Kjo po shihet si e jashtëligjshme

Kjo po shihet si e jashtëligjshme

Laboratorit të Doganës së Kosovës qysh në fund të muajit prill i ka kaluar akreditimi, megjithatë ky laborator ka vazhduar që të bëjë testimin e naftës dhe derivateve të saj me qëllim të klasifikimit doganor të tyre, si dhe kontrollimin e cilësisë së karburantit.

Kjo po shihet si e jashtëligjshme, pasi që udhëzimi administrativ për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në nenin 20, pika 5 precizon se deklarata e konformitetit duhet të bazohet në raportin e testimit të karburantit të lëngët të naftës të bërë në laboratorin e akredituar.

“Karburantet e lëngëta të naftës të prodhuara jashtë vendit duhet të jenë të shoqëruar nga deklarata e konformitetit e lëshuar nga prodhuesi/përpunuesi. Deklarata e konformitetit duhet të bazohet në raportin e testimit të karburantit të lëngët të naftës të bërë në Laboratorin e Akredituar sipas kërkesave të standardit EN ISO/IEC 17025 me fusha të akreditimit që mbulojnë kërkesat e këtij Udhëzimi Administrativ apo në bazë të certifikatës së lëshuar nga Trupa për vlerësim të konformitetit e akredituar sipas kërkesave të standardit EN ISO/IEC 17020, Tipi A”, thuhet në pikën 5 të nenit 20 për deklaratën e konfomitetit, deklarata e cilësisë dhe metoda e vlerësimit të konformitetit”, thuhet në udhëzimin administrativ.

Kompetencën për kontrollin e cilësisë së naftës laboratori i Doganës së Kosovës e ka marrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në prill të vitit 2015, kur me këtë ministri ka udhëhequr ish-ministrja Hykmete Bajrami.

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se pas përfundimit të akreditimit më 29 prill të këtij viti, Dogana nuk ka dërguar kërkesë për riakreditim.

“Laboratori doganor për testim të naftës dhe derivateve të saj me qëllim të klasifikimit tarifor të tyre në kuadër të Doganës së Kosovës është akredituar për herë të parë në vitin 2015, për fushën e akreditimit ‘Testim i naftës dhe derivateve të saj me qëllim të klasifikimit tarifor të tyre’ dhe jo për cilësi të derivateve. Akreditimi i Laboratorit në fjalë, ka skaduar me datë 29.04.2019 dhe nga Dogana nuk kemi pranuar kërkesë për riakreditim për fushën përkatëse apo për zgjerim fushe, përkundër njoftimit nga ana e MTI-së”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të MTI-së.

Ndërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, thotë për kp se janë në proces të riakreditimit.

“Realisht nuk mund të themi që Dogana nuk ka akreditim, laboratori i Doganës është laborator i akredituar, por realisht certifikata e akreditimit ka përfunduar me një datë të caktuar, tani jemi në proces të riakreditimit. Kështu që, nuk mund të themi që është laboratori pa asnjë akreditim. Gjithsesi, më duhet të kthehem tek fillimi i temës, Dogana analizat e naftës për në aspektin e cilësisë nuk ka zgjedhur që t’i merr vet, analizat e naftës i janë deleguar si kompetencë pikërisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila përmes një udhëzimi e ka heq kompetencën nga trupat inspektuese dhe e ka vendos tek Dogana”, thotë ai.

Vazhdimi i kontrollimit të cilësisë së naftës pas skadimit të akreditimit është vepër penale thotë Jakup Gashi, pronar i laboratorit “Sierra-lab” i cili është i akredituar për kontrollin e cilësisë së naftës nga MTI dhe nga DPA e Republikës së Shqipërisë.

Ai thotë se edhe kontrollin që e bënë Dogana është një mashtrim, pasi që sipas tij Dogana ka qenë e akredituar vetëm për tri metoda, ndërsa me udhëzim administrativ kërkohen 19 metoda për kontrollin e naftës.

“Kjo edhe në fillim ka qenë e akredituar për tarifim të mallrave, do të thotë përgjegjësia e Doganave është mbledhja e tasave është taksa mbledhës, jo për verifikim të cilësisë. Qysh në fillim Dogana e Kosovës, laboratori i Doganës ka qenë i akredituar për tri metoda derisa kërkohen me udhëzim administrativ 19 metoda. Kjo ka qenë simulim, ose një mashtrim me konsumatorin, me qytetarët, se nuk ka pasur kontroll. Mirëpo, edhe tani që katër muaj ose pesë sa i ka skaduar akreditimi është vepër penale, me udhëzim administrativ kërkohet të jetë i akredituar, derisa për ne trupat e pavarur të autorizuar nga MTI-ja kërkohet të kemi akreditim”, shprehet ai.

Përkundër që akreditimi i ka kaluar në muajin prill, Dogana e Kosovës ka shpallur tender për furnizim me pajisje për caktimin e numrit oktanik dhe cetanik.

Ky tender sipas Gashit është i paligjshëm dhe një mashtrim, pasi sipas tij Doganës nuk i duhen pajisje të tilla.

“Kjo është e njëjta siç ka marrë edhe përgjegjësinë për kontrollimin e cilësisë, pra në momentin kur Qeveria është në ikje merren vendime të tilla. Para përfundimit të ish-qeverisë është kaluar edhe kjo kompetencë tek Dogana, e cila ka qenë e pabazuar në ligj, ka qenë e jashtëligjshme dhe sot ende ekziston së punuari pa bazë ligjore. Edhe ky veprim tani i Doganës të shpallë tender për të blerë pajisje është i paligjshëm, është mashtrim, është humbje e buxhetit, shfrytëzohet qeveria në ikje. Nuk e di çka i duhen Doganës ato pajisje kur Dogana është taksambledhës, asnjëra prej atyre pajisjeve nuk ka të bëjë me tarifim, ka të bëjë me cilësi”, shprehet ai.

Për këtë ka një përgjigje zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili thotë se nuk është kompetencë e askujt që t’i tregojë Doganës së çfarë duhet të blejë e çka jo.

“Nuk është kompetencë …. që të na mësojë se çka duhet të blejmë, çfarë pajisje duhet të blejmë dhe çka nuk duhet të blejmë. Realisht ato janë kompani private të cilët kanë interesa private, Dogana është institucion publik i cili mbron interesat publik të këtij vendi”, thotë ai.

Stavileci ka potencuar se Dogana e Kosovës nuk ka zgjedhur që të jetë autoriteti kompetent për bërjen e analizave, por që i janë deleguar kompetencat nga MTI-ja.