Dokumenti për Skënderbeun nga arkivi i Vatikanit

Dokumenti për Skënderbeun nga arkivi i Vatikanit

Profesoresha dhe hulumtuesja Etleva Lala nga Universiteti ELTE i Budapestit, ishte e ftuar në emisionin Bon Bon të RTV21 ku shpalosi punën hulumtuese të saj në arkivin më të pasur në botë, atë të Vatikanit.

Lala ka qëndruar për një kohë në Vatikan dhe ka hulumtuar në arkivin e Vatikanit për ta sjellë një dokument që historia nuk e ka njohur deri më tani. Një letër që është shkruar nga Papa për Skënderbeun, për ta konfirmuar edhe njëherë rolin e kryeheroit shqiptar në historinë evropiane.

Lala tha se studiuesit e ardhshëm të historisë duhet të orientohen tek burimet dhe dokumentet, shkruan rtv21.tv

“Nuk ka rëndësi se sa i rëndësishëm është ky dokument për jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut, apo për historinë e tij. Nuk është kaq e rëndësishme nëse do të bëjë revolucion apo jo, e rëndësishme është që të nxitet një dëshirë për të punuar me dokumentin”, tha ajo.

Sipas saj, në letër Papa i drejtohet Skënderbeut që të vazhdojë të luftojë, duke ia bërë të qartë që ka besim tek ai dhe e konsideron atë si atletë të Krishtit, dhe si grusht të pathyeshëm, të pa trembur për të luftuar të keqen të kohërave që na ka ardhur në derë dhe për të mbrojtur vlerat e krishtera.

Ky dokument rikonfirmon pozicionin e Skënderbeut, dhe sipas Lalës kjo letër nuk i drejtohet vetëm Skënderbeut, por gjithë botës së krishterë nga ana e Adriatikut të cilët ftohen t’i bashkohen drejtuesit të ushtrisë së krishter kundër osmanëve.

“Është një letër e shkruar me mënyrën më të bukur të mundshme, pra gjerë e gjatë e zbukuruar me fjalë të shumta për të treguar edhe sa i rëndësishëm ishte pozicioni i Skënderbeut dhe sa e rëndësishme ishte kjo kauzë. Letra është e gjatë jo vetëm për këtë arsye, por edhe sepse u drejtohet të krishterëve ose qytetarëve,  të gjithë ata që njihnin Papën si kreun e tyre. U drejtohet qytetarëve të Krujës ku Skënderbeu njihet si Zot i Krujës dhe pjesëve të Shqipërisë. Pastaj u drejtohet edhe qytetarëve të Tivarit, të Shkodrës, Ulqinit, Durrësit, etj. I drejtohet edhe fqinjëve duke i ftuar ata të mos shkojnë në Romë, por të vijnë tek Skënderbeu dhe të ndihmojnë me çfarë të munden”, theksoi Lala.

Profesoresha po qëndron në Kosovë në kuadër të Javës e Albanologjisë. Ajo tha se Java e Albanologjisë po vazhdon të përçojë jehonën e Vitit të Skënderbeut, që është viti më i rëndësishëm në këto 50 vjetët e fundit./21Media

Intervistën e plotë të profesoreshës dhe hulumtueses Etleva Lala mund ta ndiqni në linkun më poshtë: