Ngacmimet seksuale i kushtojnë tenorit botëror

Ngacmimet seksuale i kushtojnë tenorit botëror

Falë lëvizjes MeeToo, e cila tashmë funksionon kundër ngacmimeve seksuale, dhe falë së cilës janë adresuar akuza ndaj një radhë personalitetesh, përfshirë këtu nga showbizi, ka të dhëna se është bërë punë e mirë, por se duhet të punohet akoma në këtë drejtim.

Njëri prej të akuzuarve për ngacmime është edhe legjenda e operës, Placido Domingo.

Kur jemi te ky personalitet, raportohet se ai nuk do të marrë pjesë në ngjarjet kulturore para-olimpike në Japoni.

Këtë e bëri të ditur Komisioni për Organizmin e Lojërave Olimpike në Tokyo përmes një deklarate. Sipas tyre, Domingo ka vendosur që të mos interpretojë në ngjarjen e caktuar kulturore për muajin prill të vitit 2020 dhe zyrtarët e këtij komisioni pranuan vendimin e tij.

Associated Press, muajin gusht raportoi për disa akuza drejtuar Domingos për ngacmimet seksuale dekada më parë. Disa gra kanë akuzuar tenorin botëror për shfrytëzim të autoritetit për t’u bërë presion atyre që të kenë marrëdhënie seksuale me të, përfshirë këtu disa gra në operën e Los Angeles, ku Domingo ka qenë drejtor i përgjithshëm kohë të gjatë.

Edhe opera amerikane ka anuluar paraqitjen e Domingos në skenë pas këtyre deklarimeve.

Domingo, në anën tjetër i ka quajtur akuzat “thellësisht shqetësuese” dhe të pasakta, me arsyetimin se ka menduar se ato lidhje kanë qenë me pajtimin e dy palëve.

Në ngjarjet kulturore para olimpike në Japoni, muajin prill 2020, organizatorët kanë planifikuar që të promovojnë kulturën japoneze dhe diversitetin në vend.

Vlen përmendur se lëvizja MeToo kundër ngacmimeve seksuale në Japoni nuk është duke funksionuar me intensitetin e njëjtë si në SHBA e vende të tjera, këtë për shkak se viktimat në Japoni më parë zgjedhin të heshtin se të flasin për ngacmimet, sepse kanë frikë se mund të ketë reagime ndaj tyre, pasi që në këtë shoqëri, pabarazia gjinore është evidente kudo./21Media