Mustafa kërkon të mblidhet qeveria

Mustafa kërkon të mblidhet qeveria

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar në lidhje me dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave. Mustafa i ka bërë thirrje qeverisë që të mblidhet sa i përket kësaj situate.

“Veprimet e sotme të serbëve në veri të vendit, dorëheqjet e kryetarëve te katër komunave dhe Rezoluta për të ndërprerë komunikimin me “Prishtinën”, siç shprehen ata, janë sinjal i qartë se kah po shkon vendi. Qeveritarët tanë nuk janë për të bërë figura me duar por për tu kujdesur për funksionimin kushtetues të vendit, sa nuk është bërë vonë. Shteti nuk mbahet dhe nuk drejtohet me folklorizëm, duhet të jemi të kujdesshëm për veprimet dhe vendimet tona dhe pasojat e tyre për tërësinë territoriale të vendit. Në këtë situatë, konsideroj se duhet të mblidhet Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Sot në seancën e jashtëzakonshme, kryetarët e komunave serbe në veri dorëzuan dorëheqjet e tyre: kryetari i komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, ai i Leposaviqit, Zoran Todiq, i Zubin Potokut Stevan Vuloviq dhe kryetari i komunës së Zveçanit, Vuçina Jankoviq.

Po ashtu në seancën e kuvendit të komunave serbe, u nënshkrua një deklaratë me të cilën i jepet fund çdo komunikimi me autoritetet e Prishtinës./21Media