Pas vendimit të Veselit

Pas vendimit të Veselit

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka lajmëruar dorëheqjen e tij nga posti i ministrit.

Beqaj në një konferencë për media ka folur pas lirimit nga detyra që bëri dje kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai tha se sot në mëngjes ka paraqitur dorëheqjen e tij te kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan rtv21.tv.

“Konsideroj se ky është angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave udhëheqëse të PDK-së pjesë e secilës jam edhe vet, gjithmonë duke tentuar të eleminohen paragjikimet dhe akuzat dhe lidhur me proceset gjyqësore të zyrtarëve të PDK-së”, tha ai.

Sa i përket rastit të tij, Beqaj tha se këto aktakuza janë të pabazuara në fakte dhe argumente ligjore dhe që sipas tij drejtësia do ta vërtetojë këtë.

“Unë besoj që drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time. Vepra për të cilën akuzohem unë, nuk ka të bëjë me korrupsionin”, u shpreh tutje ai.

Beqaj u shpreh i bindur se në rast të një procesi të drejtë gjyqësor do të lirohet nga aktakuza.

Besim Beqaj akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës se Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar dje nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë./21Media