Dorëzohet kallëzim penal ndaj sekretarit të MMPH-së për Badovcin

Organizatat numërojnë shkeljet që ato konsiderojnë që i ka bërë sekretari

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Balkan Green Foundation,  Instituti për Politika Zhvillimore, Instituti GAP dorëzuan sot kallëzimin penal ndaj sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovcit.

Organizatat konsiderojnë se Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH-së, kundërligjshëm ka obliguar Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës që të procedoi kërkesën për kushtet ndërtimore. Poashtu ata konsiderojnë se disa nga parcelat kadastrale të cilat përmenden në kërkesë, hyjnë në zonën mbrojtëse të liqenit akumulues-Badovcit dhe në çfarëdo lloj situate ndërtimi i çfarëdolloj objekti për turizëm, rekreacion ose objekte të tjera të cilat do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit, nuk do të mund të lejohej dhe zgjatja e procedurave administrative deri në shterjen e të gjitha mjeteve juridiko-administrative do të duhej të dërgonte në rezultatin e njëjtë, pra mos lejimin e ndërtimit të çfarëdo objekti që do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit.

Tutje sipas tyre realizimi i ndërtimit të kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në atë zonë do të ndikonte negativisht në biodiversitetin, ndotje të ambientit, tokës ose ujit, e si rrjedhojë do të binte në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, me theks të veҫantë me Ligjin për Mjedisin dhe Vendimin e Qeverisë me nr.16/127.

Meqenëse me vendimet e lëshuara nga Ministria, janë aprovuar të gjitha ankesat që pala ka bërë ndaj refuzimeve nga ana e Komunës, Organizatat konsiderojnë se vërehet tentimi i tij që të ndërhyjë në një proces për të cilin çfarëdo procedure që do të zbatohej, përfundimi do të ishte i njëjtë.

Organizatat konsiderojnë se lidhur më këtë rast, sekretari i përgjithshëm i MMPH-së, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe me dyshimin se i njëjti ka pasur për qëllim që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, në këtë rast duke dëmtuar zonën e mbrojtur –Liqenin akumulues të Badovcit, ka nxjerrë vendime më të cilat i’a ka imponuar Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, që edhe pas dy refuzimeve, të bëjë lëshimin e kushteve të ndërtimit. Prandaj, ekziston dyshimi se me këto veprime janë konsumuar elementet e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në fund organizatat kërkojnë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që këtë çështje ta hetoj tërësisht dhe ta procedojë më tutje./21Media

Back to top button