Draft-platforma iu dorëzohet krerëve të shtetit

Draft-platforma pritet të dorëzohet sot në orën 10:00

Ekipi negociator pas disa orë punimesh, të martën ka përfunduar tekstin e draft-platformës për dialogun me Serbinë dhe sot do t’ua dorëzojë për shqyrtim krerëve të shtetit, pas të cilit do të dërgohet për miratim edhe në Kuvend.

Kjo është bërë e ditur pas takimit nga bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj.

Ai tha se pas marrjes së vërejtjeve ose sugjerimeve lidhur me platformën për dialogun nga ana e krerëve të shtetit, do ta dërgojnë atë në Kuvend, për çfarë shprehu besimin se deputetët njëherësh edhe do ta miratojnë.

Limaj po ashtu tha se draft-platformën finale do t’ua dërgojnë edhe dy partive opozitare, LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat nuk kanë pranuar të jenë pjesë e ekipit negociues për dialogun me Serbinë.

Kp mëson se takimi për dorëzimin e draft-platformës do të bëhet në orën 10:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, para disa ditësh ka pritur në takim të përbashkët Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj, Bashkëkryesuesin e Delegacionit Shtetëror për Dialog, Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e Delegacionit, Enver Hoxhaj dhe Visar Ymerin. Në takim është diskutuar për procesin e fazës finale të Dialogut, me theks të veçantë për Platformën e Dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Back to top button