“Kosova ka bërë progres ndër vite, por shumë ka mbetur për tu bërë"

“Kosova ka bërë progres ndër vite, por shumë ka mbetur për tu bërë”

Dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj është shpallur “Evropiani i Vitit” për 2018 -ën, si individi që ka promovuar idenë dhe vlerat evropiane më së miri në Kosovë.

Ky çmim iu nda nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, që ka krijuar tashmë traditë tre vjeçare për të nderuar përmes këtij çmimi individë apo institucione që promovojnë idenë evropiane në Kosovë. Këtë çmim Nezirajt ia ndau Majlinda Kelmendi që ishte e para që u nderua me këtë çmim para tre vitesh. Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi u theksua nder tjerash se Kosova ka bërë progres të mirë në rrugën e saj drejt integrimeve evropaine, por se ka edhe shumë punë për të  bërë, sidomos në sundimin e ligjit.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se sot po shënojnë punën jashtëzakonisht të madhe që BE-ja po bënë në Kosovë. Ajo kujtoj themeluesit e Bashkimit Evropian, të cilët zgjidhën konfliktet në Evropë duke zëvendësuar përdorimin e forcës me forcën e ligjit dhe bashkëpunimit.

Apostolova tha po ashtu se proceset integruese evropiane kanë bashkuar 28 shtete anëtare dhe përmes tyre 510 milionë njerëz, duke bërë kështu që ideja e konflikteve përbrenda fuqive evropiane tani të jetë diçka që as nuk mendohet. “Ne jemi këtu sot për të shënuar punën shumë të rëndësishme që Evropa është duke e bërë në Kosovë. Le të kujtojmë se shtete anëtare të BE-së që dikur ishin armike sot janë mike dhe partnere Brenda unionit tonë. Ne dikur kishim luftë por tani kemi paqe dhe prosperitet. Ne duam që ky të jetë mesazhi tek partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Për të fituar paqen kërkohet më shumë sesa për të ndaluar dhunën. Njerëzit në Ballkanin Perëndimor presin dhe duan më shumë. Ata presin progres dhe prosperitet, presin punë për vetë dhe fëmijët e tyre, ata presin siguri dhe presin dinjitet njerëzor, një shoqëri pluraliste, barazi dhe sundim të ligjit. Pritjet e tyre janë edhe pritjet tona. Kjo është arsyeja pse BE-ja është instrument ndërkombëtar për ndërtimin e një të ardhme të re për Kosovën që prej vitit 1999. BE–ja sot është partneri kryesor tregtar i Kosovës, investitori më I madh dhe donator më i madh” , tha Apostolova.

Strategjia e Ballkanit Perëndimor, e adaptuar në nëntorin e viti të kaluar, sipas Apostoloves përçon një sinjal të fuqishëm dhe ambicioz sa i përket perspektivës evropiane të rajonit dhe gjithashtu shpalos udhërrëfyesin për të arritur deri tek aty. “Kosova ka bërë progres ndër vite, por shumë ka mbetur për tu bërë.  Është e rëndësishme që Kosova dhe fqinjët e saj të shohin mundësinë e momentumit të ri të krijuar. Rruga më e mirë për të bërë këtë është duke u angazhuar në detyrimet e Kosovës duke vazhduar sundimin e ligjit dhe duke u edukuar për në agjendën evropiane. Mbështetja jonë do të mbetet e palëkundshme por në fund jeni ju, lidershipi i Kosovës dhe populli i Kosovës që jeni pronarë të procesit. Përpjekjet e juaja janë ato që vendosin se çfarë të ardhme Kosova do të ketë. Jam shumë e sigurt se dëshira dhe ambicia për progres ekziston dhe shpresoj se do të ndeshen me zgjedhjet e duhura dhe të drejta politike. Jam e inkurajuar të shoh se perspektiva evropiane po bënë të gjithë së bashku”, u shpreh ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një fjalë rasti gjatë ceremonisë, foli edhe për Ditën e Evropës si festë zyrtare në Kosovë duke kritikuar ata që e kanë quajtur gabim dhe duke thënë se mesazhi që Kosova ka dashur të përçoj përmes kremtimit zyrtar është që qytetarët e Kosovës besojnë në vlerat që mishëron Evropa.

Kreu i Kuvendit, theksoi se populli i Kosovës nuk ka dilema për formën që do të ketë e ardhmja e tij, pasi kjo e ardhme quhet “integrim i plotë i Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe pjesë e NATO-s”. Prandaj, sipas tij, me të drejtë qytetarët presin liberalizimin e vizave në muajt e afërt. “Arritja kohë më parë e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit dhe tani përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen, janë tregues të qartë të këtij përkushtimi. Ne, me plotë të drejtë presim që mekanizmat vlerësues të Bashkimit Evropian, të njohin rezultatet e këtij përkushtimi dhe në muajt e afërt të kemi vendimin për liberalizimin e vizave. Kjo është një e drejtë e qytetarëve tanë, por jo një shkop magjik për zgjidhjen e problemeve strukturore të shoqërisë sonë. Është një e arritur, pas të cilës na presin sfida shumë më të mëdha”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës besojnë në shtetin e tyre dhe ata kanë gjithë energjitë e duhura për t’i përmbushur pritjet e tyre, vetë ëndrrën e tyre për Kosovën evropiane.

Në Kosovë dita e Evropës është festë zyrtare dhe ditë pushimi, derisa organizohen edhe aktivitete të ndryshme për të festuar këtë ditë.