Sa i përket Qendrave Korrektuese, Tahiri tha se konsideron që është një gjendje e mirë dhe se nuk kanë hasur probleme të papërballueshme dhe të pamenaxhueshme

Sa i përket Qendrave Korrektuese, Tahiri tha se konsideron që është një gjendje e mirë dhe se nuk kanë hasur probleme të papërballueshme dhe të pamenaxhueshme

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi tha sot se në burgun e Dubravës ka kontrabandë dhe nepotizëm. Thaçi, duke raportuar në Komisionin për Legjislacion lidhur me gjendjen e institucioneve korrektuese në Kosovë tregoi hapat që kanë ndërmarrë për të përmirësimin e gjendjes në këtë burg, gjegjësisht për të luftuar nepotizmin dhe kontrabandën në këtë institucion.

Sa i përket higjienës dhe kushteve, Thaçi tha se burgu i Gjilanit, ai i Prishtinës dhe ai i Sigurisë së Lartë kanë kushte shumë të mira. Ndërsa, tha se burgjet e vjetra nuk munden të ofrojnë të njëjtën pastërti sikurse burgjet e reja.

“Është e vërtetë që në burgun e Dubravës ka nepotizëm, është e vërtetë që në burgun e Dubravës ende ka kontrabandë. Është më e theksuar, pikërisht për çështjen e parandalimit të këtyre dukurive negative ne kemi marrë disa hapa dhe e kemi në plan të marrin disa hapa shumë konkret. Hapi i parë që ka qenë ne e kemi dërguar një skaner shtesë, ku të gjitha produktet ushqimore kontrollohen. Ne kemi marrë hapa konkret ku transporti i ushqimit hynë vetëm në fazën e parë, ndërsa pjesa mekanike tjetër apo automjetet tjera vijnë dhe e marrin prej hyrjes. Hap tjetër që e kemi marrë kemi instaluar disa pajisje për ndërprerjen e valëve telefonike, ku në masë të madhe ka zbritur nevojën për të kontrabanduar me telefon”, tha Thaçi.

Hap tjetër ai tha se do të ndërmarrin duke zvogëluar numrin e të paraburgosurve dhe të burgosurve në burgun e Dubravës deri në masën 500, gjë që sipas tij mundëson që të menaxhohen këto situata.

Thaç foli edhe për burgun e Pejës, duke potencuar se nuk ka asnjë shkresë zyrtare se ai burg do të mbyllet. Megjithatë, ai potencon se kushtet në këtë burg nuk janë të mira.

Kurse, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kur foli për Shërbimet Korrektuese është shprehur se gjendja në përgjithësi është e mirë.

Ndërkohë, ai ka pasur kritikë sa i përket zgjedhjes së drejtorëve, ku sipas tij më e udhës është që drejtori të zgjidhet duke qenë pjesë e stafit dhe jo të vije nga jashtë.

“Sa i përket Qendrave Korrektuese në përgjithësi konsideroj që është një gjendje e mirë, nuk kemi hasur probleme të cilat janë të papërballueshme dhe të pamenaxhueshme. Aktualisht jemi duke zbatuar një politikë ku jemi duke u munduar ta lirojmë pak më shumë Dubraven nga një numër shumë i madh i të burgosurve dhe jemi në përfundim të hapjes së qendrës së paraburgimit në Prishtinë. Po ashtu, po i rrisim kapacitetet, sepse Qendra Korrektuese në Gjilan aktualisht punon për afër 30 deri në 40 përqind të kapaciteteve që i ka. Në mënyrë që të kemi një menaxhim më të suksesshëm të Qendrës Korrektuese të Dubravës, pasi Dubrava gjithmonë ka qenë ajo që i ka sjellë probleme më të mëdha, duke pas parasysh  se e ka pasur se ka pasur gjithmonë numrin më të madh të të burgosurve. Numri është sjell 900, 1 mijë, qëllimi ynë është që Gjilani dhe Prishtina t’i përmbushin kapacitetet aq sa janë të nevojshme”, tha ai.

Kreu i Drejtësisë tregoi  se janë në proces të rekrutimit edhe të 120 gardianëve të ri, ku sipas tij ky numër e kompleton nevojën që është për kuadër të oficerëve korrektues. Tahiri ka thënë se edhe në buxhet është paraparë financimi i këtyre oficerëve të ri.

Kurse, sa i përket kapaciteteve, Tahiri tha se Kosova ka hapësira të mjaftueshme, ku bëri të ditur se në të gjithë Kosovën janë 2 mijë e 290 shtretër nëpër burgje. E kjo sipas tij është e mjaftueshme, gjë për të cilën tha se nuk do të duhej që më të investohet.

Në komision është diskutuar edhe për pakon ushqimore, ky anëtarët e komisionit kanë kërkuar që kjo të kthehet, e që sipas tyre duhet të bëhet për shkak të cilësisë së dobët të ushqimit nëpër burgje.

Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu tha se ndalimi i pakove ushqimore nuk e ka zgjedhur çështjen e kontrabandës, e kjo sipas saj është arsye e mjaftueshme që kjo pako të kthehet.

Mirëpo, një përgjigje ka pasur ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili ka thënë se nuk po mund të vendosin se a është më mirë që për ushqimin të kontraktohet një kompani e jashtme, apo të përgatitet nëpër burgje.

Kritika për gjendjen nëpër burgje ka pasur deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili tha se nëpër qendrat e paraburgimit nuk ofrohen as kushtet më elementare të shëndetësisë.

Krasniqi potencoi edhe faktin se të burgosurit nuk seleksionohen, ku ai tha se një i dënuar për prerje të druve qëndron në të njëjtin vend me atë që është dënuar për vrasje.

Haxhiu, ka pyetur drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, lidhur me gardianët e suspenduar në lidhje me arratisjen e dy të miturve nga burgu u Lipjanit dhe se a kanë bërë ndonjë hetim lidhur me dëshmitarin kryesor. Thaçi u përgjigj shkurt, duke thënë se gardianët nuk janë kthyer në punë deri sa është duke vazhduar procesi ndaj tyre, kurse tha se kjo nuk është kompetencë e tyre.