U kërkua nga ministri Mustafa punësimi i sportistëve elitarë dhe trajnerëve në Policinë e Kosovës

U kërkua nga ministri Mustafa punësimi i sportistëve elitarë dhe trajnerëve në Policinë e Kosovës

Në vazhdën e takimeve me ministrat e Qeverisë së Kosovës, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj sot janë pritur nga ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa.

Hasani duke falënderuar ministrin Mustafa për takimin, e përgëzoi për punën e Policisë së Kosovës.

Edhe ministri Mustafa përgëzoi presidentin Hasani për të arriturat në fushën e sportit, me theks të veçantë suksesin e fundit në Lojërat Evropiane Minsk 2019, ku u fituan tri medalje.

Gjatë bashkëbisedimit të dyjat palët u pajtuan për shumë pika me interes të përbashkët.

Drejtuesit e KOK-ut kërkuan që të formohen klubet sportive brenda Policisë së Kosovës, në të gjitha komunat dhe njësitet e Policisë, si dhe formimin e Federatës Sportive të Policisë së Kosovës, që do t’i hapte rrugë aplikimit për anëtarësim në Federatën Evropiane dhe Ndërkombëtare të Sporteve të Policisë.

Ashtu si me ministrat tjerë, u kërkua edhe nga ministri Mustafa punësimi i sportistëve elitarë dhe trajnerëve në Policinë e Kosovës. Bashkëpunimi intensiv dhe i planifikuar për aktivitete të përbashkëta mes KOK-ut-MPB-së dhe Policisë së Kosovës, siç janë Dita Olimpike, Festivali Sportiv për Parashkollorët, Dita Ndërkombëtare e Sportit dhe Ambientit, Dita Botërore e Ecjes, etj, ishte një tjetër temë diskutimi.

Ministri Mustafa dhe ekipi i tij, shprehën falënderimin për idetë e propozuara, njëherit konfirmuan gatishmërinë për të gjetur modalitetet më të përshtatshme në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi.

Të dy palët u pajtuan që pa vonesë të themelohen grupet punuese nga të dy palët për ta hartuar një memorandum bashkëpunimi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit institucional midis Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.