Drita suspendon trajnerin Ismet Munishi

Klubi ka kërkuar zbardhjen e rastit

Pas transmetimit të një videoje komprometuese, klubi i futbollit Drita, përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të saj në Facebook, ka njoftuar se ka suspenduar trajnerin Ismet Munishi, deri në zbardhjen e rastit.

“Kryesia e Klubit “FC Drita” ka zhvilluar mbledhje të jashtëzakonshme ku pika kryesore e diskutimit ishte një video e publikuar në rrjetet sociale, ku i përfshirë është trajneri i skuadrës tonë Ismet Munishi. Duke pasur parasysh reputacionin që ka klubi “Drita”, traditën e futbollit të kultivuar me sakrifica të mëdha nga njerëzit e qytetit të futbollit, mundin dhe investimet e shumta me dekada për t’a avansuar futbollin kosovarë, nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe pa kërkuar zbardhjen e rastit.

Duke i analizuar mirë rrethanat, Kryesia e Klubit merr vendim Suspendimin e trajnerit Ismet Munishi. Kërkojmë urgjentisht nga Federata e Futbollit të Kosovës që të zëvendësoj treshen e gjyqtarëve të planifikuar për referim në ndeshjen FC Drita vs FC Prishtina” shkruhet në njoftim.

Klubi ka kërkuar zbardhjen e rastit dhe të gjithë akterëve të përfshirë t’u shqiptohen dënimi i merituar./21Media

Back to top button