PSD dhe AAK garojnë së bashku

PSD dhe AAK garojnë së bashku

Ish-deputeti i PSD-së, Driton Çaushi ka konfirmuar se do të jetë në listën e kandidatëve të përbashkët për deputetë që partia e tij do ta ketë së bashku me AAK-në si pjesë e koalicionit.

Edhe pse kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti tha një ditë më parë se është vullnet i partisë që të gjithë ish-deputetët të garojnë sërish, megjithatë shtoi se kandidimi ose jo mbetet në dëshirën e secilit.

Çaushi, që dikur u rreshtua kundër AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale në Gjakovë, tha se i kanë lënë anash dallimet për të mirën e vendit.

“Koalicioni AAK-PSD, koalicion ky që në vete ngërthen dijen dhe guximin politik, është garanca më e mirë për t’i arritur të gjitha këto synime tonat të përbashkëta. Ne nuk mund ta humbasim këtë mundësi për ndryshime. Prandaj, përkundër dallimeve tona, ne u bashkuam që të garojmë së bashku. Jo për poste, por për politikat që na bëjnë bashkë”, tha Çaushi.

Ish-deputeti tha se kanë arritur disa suksese gjatë legjislaturës së fundit në bashkëpunim me kryeministrin Ramush Haradinaj, ndërsa tani Kosova gjendet në një udhëkryq të ri dhe kërkohen reforma në sektorët kryesorë.

“Në bashkëpunim me kryeministrin Haradinaj, ne i ndaluam pazaret e Thaçit për territorin e Kosovës, e mbështetëm vendimin për taksë 100% ndaj produkteve serbe, e mbështetëm krijimin e Ushtrisë së Kosovës, e defaktorizuam Listën Serbe, e rritëm pagën minimale, e rregulluam ligjin për paga dhe e filluam reformën për sistemin pensional. Tani, Kosova gjendet në një udhëkryq të ri. Krahas arritjeve të lartpërmendura që e forcojnë shtetin tonë, duhet të nis transformimi i sistemit të arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë së vendit. Kosova duhet ta kthejë fokusin tek qytetarët e vendit”, shtoi Çaushi.

Driton Çaushi ka qenë deputet në dy legjislaturat e fundit. Ai fillimisht ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa më pas iu bashkua PSD-së.