Votimet deri më 20 nëntor

Votimet deri më 20 nëntor

Ngjarja madhështore dedikuar muzikës, ceremonia e 47-të vjetore American Music Awards që do të mbahet në teatrin Microsoft në Los Angeles, e gjatë së cilës do të nderohen me çmime artistë për arritjet e tyre muzikore, si zakonisht edhe kësaj radhe do të ndajë hapësirë për interpretime muzikore.

Rrjeti radio-televiziv amerikan ABC, i cili edhe do ta transmetojë këtë ceremoni, ka njoftuar për listën e këngëtarëve të cilët do të interpretojnë në ngjarje. Për më tepër, ABC ka bërë të ditur se skenën do ta dominojnë zonjat, shkruan rtv21.tv

Dhe prania e yjeve shqiptarë nuk do të mungojë as në këtë ngjarje. Dua Lipa është këngëtarja e zgjedhur në mesin e shumë yjeve të tjerë për të interpretuar në skenë.

Në mesin e artistëve të tjerë, të cilët do të interpretojnë janë edhe Camila CabelloBillie EilishLizzo.

Për të nominuarat për nga gjashtë çmime American Music Award, Bilie Eilish dhe Lizzo, kjo ngjarje do të jetë e para që do të interpretojnë në skenë.

Në anën tjetër, Dua ka performuar edhe në ngjarjen e vitit të kaluar American Music Awards.

Kjo katërshe përrallore, me interpretim do t’i bashkohet listës së performuesve të tjerë, të shpallur më herët për këtë ngjarje, në mesin e tyre Selena Gomez e Taylor Swift.

Në këtë listë është edhe Post Malone, i cili këtë ceremoni çmimesh e kryeson me shtatë nominime.

Swift mund të bëjë histori këtë mbrëmje. Nëse ajo fiton dy nga pesë kategoritë për të cilat është nominuar, do t’ia kalojë yllit të ndjerë muzikor Michael Jackson, në listën e fituesve të të gjitha kohëve të AMA-s.

Votimet për American Music Awards do të mbyllen me 20 nëntor 2019.

Ceremoninë vjetore të nderimit me çmimet American Music Awards e themeloi ikona kulturore amerikane Dick Clark në vitin 1973 për rrjetin radio-televiziv amerikan ABC./21Media