Në radhët e votimit në Venezuelë u vra një grua

Në radhët e votimit në Venezuelë u vra një grua

Një grua është qëlluar për vdekje derisa ishte duke pritur që të votonte në një referendum jo zyrtar të organizuar nga opozita në Venezuelë.

Mësohet se disa persona me motoçikleta kanë shtënë me armë zjarri me ç’rast kanë lënë një grua të vdekur dhe tre të tjerë të plagosur në Karakas.

Megjithatë, Reuters raporton se janë dy persona të cilët kanë humbur jetën në këtë ngjarje.

Pamje nga vendi i ngjarjes shfaqnin njerëzit duke ikur nga të shtënat, shumë prej të cilëve u strehuan në një kishë.

Venezuela  ka kohë që është në krizë dhe më shumë se 100 persona kanë vdekur nga  përleshjet politike që nga prilli.

“Jemi duke lotuar shumë, me dhimbje të madhe. Por kjo është vetëm një nga 2 030 qendrat e votimit”, tha në një deklaratë zëdhënësi i opozitës, Carlos Ocariz për vrasjen.

Një referendum zyrtar do të mbahet më 30 korrik për të formuar ose jo një Kuvend të ri që do të kishte fuqinë për të rishkruar kushtetutën dhe për të shpërndarë institucionet shtetërore. Por kritikët thonë se Kuvendi i ri mund të jetë një paralajmërim i një diktature.

Politikanët e opozitës organizuan një referendum jozyrtar të dielën, të mbajtur në vendvotime të improvizuara si në kinema, fusha sportive dhe rrethrrotullime brenda Venezuelës si dhe në më shumë se 100 vende të tjera  të botës.