Për herë të pare në komisionet e FIBA-s marrin pjesë anëtaret e FBK-së

Për herë të pare në komisionet e FIBA-s marrin pjesë anëtaret e FBK-së

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku më 3 nëntor, do të marrë pjesë në takimin e parë të FIBA Europe Youth Commission, që do të mbahet në Pragë të Çekisë.

Takimi do të kryesohet nga Kryetari i FIBA Europe Youth Commission, Matej Erjavec, njëherësh presidenti i Federatës së Basketbollit të Sllovenisë, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, si dhe krerët më të lartë të FIBA Evropës.

Në këtë takim pritet të diskutohet për më të rejat në basketbollin e të rinjve, si FIBA Kampionatet Evropiane që do të mbahen vitin e ardhshëm në tri Divizione, A, B dhe C, si dhe do të diskutohet për ecurinë e programeve për të rinj në kuadër të FIBA Evropës.

Duhet theksuar se në qershor të këtij viti Bordi i FIBA Evropës i ka emëruar anëtarët e Komisioneve të FIBA Evropës. Në këtë mënyrë për herë të parë në Komisionet e FIBA-s kanë zënë vend edhe përfaqësuesit e FBK-së.

Bëhet fjalë për kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu, i cili është emëruar anëtar i Komisionit Ligjor (FIBA Europe Legal Commission) dhe për Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku, e cila është emëruar në Komisionin e të Rinjve (FIBA Europe Youth Commission).

Anëtarët e Komisioneve të FIBA Evropës kanë mandat katërvjeçar, pra prej 2019 deri më 2023.