“Legalizim i përmbajtjes së rreme”

“Legalizim i përmbajtjes së rreme”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njoftoi se ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave të pandehur për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” .

“Prokuroria njofton se të pandehurit, R.A., dhe N.A., nga Ferizaj,  gjatë muajit prill 2018, kanë vënë në lajthim organin kompetent – Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë kinse dy të pandehurit janë “Veteran Luftëtar të UÇK-së”, në atë mënyrë që me dokumente të falsifikuara edhe atë çertifikatën veteran luftëtar dhe vërtetimin e veteranit luftëtar, të pandehurit kanë aplikuar në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe kategorive tjera të përcaktuara me ligj, ku kanë arritur të përfitojnë pagë mujore prej 170.00 eurove secili veç e veç,  nga muaji maj 2018 deri në muajin shtator 2018, duke i shkaktuar dëme materiale të dëmtuarës -Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në shumë prej 1.020.00 euro secili veç e veç”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime të pandehurit R.A., dhe N.A., kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.​/21Media