Dy kompani kosovare certifikohen si Operator Ekonomik të Autorizuar

Kompanitë e certifikuara me privilegje të jashtëzakonshme

Për herë të parë në Kosovë, sot Dogana e Kosovës ka certifikuar dy kompani kosovare me statusin e autorizuar ekonomik. “Auto Mita” dhe “Galvazing”, janë dy kompanitë kosovare të certifikuara si Operator Ekonomik të Autorizuar.

Me këtë status, këto kompani do të kenë shumë lehtësira dhe privilegje në gjithë Evropën.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha tha se këto kompani do të gëzojnë privilegje të jashtëzakonshme në procedura doganore. “Këto kompani nga sot do të gëzojnë privilegje të jashtëzakonshme në procedura doganore, në shpëtimin e kohës, por edhe të kostos. Këto privilegje pas një kohe do t’i gëzojnë edhe në aspektin regjional, por edhe në nivelin evropian sepse kompanitë në nivel evropian, të cilat kanë këtë status të cilat janë me standarde të Organizatës Botërore të Doganave gëzojnë privilegje në gjithë Evropën. Këto kompani kanë përparësi në krahasim me gjitha kompanitë tjera, të cilat e kanë këtë status”, tha ai.

Berisha tha se kriteret për status janë ndërkombëtare, për çka sipas tij bizneset kosovare kanë arritur standarde të tilla.

Ndërsa, Ibrahim Xhaka, koordinator i Doganës për OEA, tha se edhe më tutje do të inkurajojnë kompanitë kosovare që të aplikojnë për këtë status. Ai ka bërë të ditur se ky projekt ka filluar që nga 2017 dhe se ky status u jep disa privilegje kompanive të certifikuara.  “Ky është një projekt ndërkombëtar dhe është kënaqësi që sot patëm rastin t’i shpërndajmë dy certifikatat e para, meqenëse edhe kompanitë kosovare janë në nivelin e kompanive të tjera evropiane dhe për njohje reciproke…Për vetë kompanitë është shumë e rëndësishme për arsyeje se përfitojnë kohë në procesin e zhdoganimit, janë më të besueshme, kanë një kredibilitet më të madh. Është një procedurë mjaft lehtësuese, kursen kohën edhe kostot financiare të këtyre kompanive”, ka thënë ai.

Zgjim Mita nga kompania “Auto Mita”, të cilës i është ndarë certifikata nga Dogana e Kosovës, tha se ky status i bën edhe më të përgjegjshëm në kryerjen e obligimeve të tyre. “Sot e shënojmë një hap tjetër të rëndësishëm të këtij bashkëpunimi me Doganën e Kosovës. Sot jemi mbledhur për të shënuar një hap po aq të rëndësishëm të këtij zhvillimi, hap i cili vendos Doganën e Kosovës në nivel me vendet e tjera të regjionit dhe më gjerë. Në emër të ‘Automitës’ është nder dhe privilegj të pajisemi me statusin e AEO-së, sepse kjo dëshmon për bashkëpunimin dhe besimin që kemi deri më tash”, tha ai.

Edhe Petrit Shala nga kompania ‘Galvazing’, u shpreh i lumtur si përfitues i kësaj certifikate. “Vitin e ardhshëm priten të hapen edhe dy kompani të reja për përpunimin e metaleve dhe ku do të punësohen 50 punëtorë…Ndihemi të privilegjuar për të poseduar këtë certifikatë. Do të jemi më fleksibil ndaj kërkesave ndaj klientëve tanë dhe vendeve fqinje…Shpresoj që të kemi edhe shumë kompani të tjera që do të autorizohen me këtë certifikatë”, tha ai.

Përfaqësuesja e GIZ-it gjerman, Tanja Boshkoviq, deklaroi se do të vazhdojnë edhe me tutje të mbështesin projekte të tilla.

Back to top button