Dy persona u gjetën të vdekur, 10-të u ndaluan për 24 orë

Një trup i pajetë është gjetur në Prishtinë, ndërsa një person është gjetur i vrarë në Deçan

Prokurori i Shtetit njoftoi opinionin se gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar 10 persona të dyshuar, si dhe pranë Gjykatave kompetente janë paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar ka ndaluar katër persona të dyshuar, po ashtu, kjo prokurori ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një person të dyshuar.

Gjatë 24 orëve të fundit, është gjetur një trup i pajetë në Prishtinë. Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, të kësaj prokurorie, e ka cilësuar si “vdekje e dyshimtë”. Trupi i pajetë do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar, si dhe për të njëjtin pranë Gjykatës kompetente ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një person i dyshuar për dy vepra penale. Gjithashtu, gjatë 24-orëve të fundit, në një shtëpi në Deçan, është gjetur një trup i pajetë i vrarë me armë zjarri, me ç’rast me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Gjakovë gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar dy persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orësh në dy raste të ndara, derisa Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.

Back to top button