Dy të vdekur nga gripi sezonal në Kosovë

Numri më i madh i rasteve raportohet nga Prishtina, Prizreni dhe Podujeva

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se sot nga Klinika Infektive janë raportuar dy raste të vdekjes.

“Sot më 22.01.2019 nga Klinika Infektive janë raportuar dy raste vdekje me Influenca A, një prej tyre me subtipin AH1pdm09.Pacientët kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal”, ka bërë të ditur instituti.

Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale, sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit janë hospitalizuar 7 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI).

Instituti përmes një komunikate për media ka njoftuar se nga 01 tetori 2018 deri sot në këtë institut janë raportuar gjithsej 18.736 raste të dyshimta në grip, 3.233 raste me infeksione respiratorë akute dhe 19 raste me infeksione të rënda respiratorë akute.

Rastet janë raportuar nga të gjitha komunat e Kosovës. Numri më i madh i rasteve është raportuar nga komunat: Prishtinë, Prizren dhe Podujevë, por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

Ndërsa, gjatë javës së 02-të (07.01.2019-13.01.2019) janë raportuar 1.617 raste ILI dhe 319 raste ARI dhe 3 raste SARI.

Në laboratorët e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK janë testuar gjithsej 127 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 19 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A. Nga 19 raste pozitive në 3 mostra është bërë subtipizimi dhe siç është bërë e ditur i takojnë subtipit AH1pdm09.

Back to top button