Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018

Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018

Udhëheqësi i Nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq ndërroi jetë pas një atentati me armë zjarri orët e para të mëngjesit të 16 janarit të vitit 2018.

Autorët e sulmit nuk i lanë rrugë shpëtimi: kreu i serbëve të Kosovës u qëllua me 4 plumba në gjoks, ndërsa hynte në zyrën e partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Ivanoviq, njohës i mirë i gjuhës shqipe, i diplomuar i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Mitrovicë e më pas atij të Ekonomisë në Prishtinë, karrierën politike e nisi pikërisht gjatë luftës së Kosovës, kur u caktua president i Këshillit Kombëtar Serb për Veriun e Kosovës dhe Metohinë.

Ai do të shndërrohej pas konfliktit në udhëheqësin kryesor të serbëve të Kosovës, duke sjellë një frymë të re në politikën serbe, që i entuziazmoi fillimisht ndërkombëtarët, për t’u shembur pastaj përdhe kur dolën në dritë akuzat për pjesëmarrje në masakrat kundër shqiptarëve.

Ai po përballej me procesin gjyqësor për krime lufte, nën akuzën se kishte urdhëruar vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicën e vitit 1999.

Kjo aktpadi, të cilin e mohonte me pretendimin se ishte i pabazë dhe i mbështetur tek aktiviteti i tij në favor të pranisë serbe në Kosovë, e la dy vite prapa hekurave përpara se të lirohej e ta priste në gjendje të lirë rezultatin e gjyqit.

Më përpara, makinës së Ivanoviqit i ishte vënë edhe zjarri. Ai vet ishte shprehur atëherë se nuk ishte përfshirë në biznese të paligjshme e nuk kishte armiq, vetëm kundërshtarë politikë.

Ivanoviq pati akuzuar ashpër Beogradin për mbështetjen e “Listës Serbe” në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit 2017, e tha atëherë se ka ardhur koha kur “serbët po frikësohen nga serbët, e jo nga shqiptarët”.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më 2 dhjetor 2019 ndaj gjashtë personave të nacionalitetit serb, Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara, të cilët ngarkohen për veprat penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte paraparë të fillonte seanca fillestare ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Ivanoviq, por kjo seancë u shty për datën 11 shkurt të këtij viti pasi që Prokuroria Speciale ka ndryshuar aktakuzën.