Më shumë i kanë dhënë rëndësi ligjit për "Shotën" sesa për Qeverinë!

Më shumë i kanë dhënë rëndësi ligjit për “Shotën” sesa për Qeverinë!

Në debatin e parë “Talk the Talk” të organizuar nga departamenti i universitetit të Londrës, në institutin Riinvest është diskutuar sot për projektligjin për Qeverinë.

Agron Demi nga Instituti GAP tha se Kosova e ka numrin më të madh të ministrive krahasuar me popullsinë. Në këto 10 vjet më shumë tha i është dhënë rëndësi ligjit për Ansamblin “Shota”.

“Ka ligj për Asamblin ‘Shota’, e nuk kemi ligj për Qeverinë. Për punën e Qeverisë fokusohemi në shpenzime, ka ndodh shumë shpesh që investitorët e huaj, me i taku deri në pesë ministri. Çka ndodh tash këta ministra nuk kanë kohë me u taku. Në qeverinë e re, një numër i zëvendësministrave i kanë kaluar në shtëpi, se nuk kanë pasur hapësirë. Duhet të kufizohet numri i ministrave”, tha ai.

Demi tha se sa herë po flasin për ligjin për Qeverinë, po shtohet numri i ministrave, duke përmendur kështu qeverinë Haradinaj, që gjatë këtij mandati janë shtuar dy ministri.

Besnik Tahiri, koordinator nacional tha se ligji për Qeverinë është në konsultim të brendshëm. Ai ka treguar se çfarë propozon grupi punues, për numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe zëvenëskryeministrave.

“Kur e kemi marrë ne Qeverinë, shumë gjëra kanë qenë pa trajtuar, është dashur të krijohet një rregull, nuk kemi mundur të bëjmë ligjin për Qeverinë para pakos së administratës. E kemi pasur problem me juristët për sanksionimin e numrit të ministrive. Ligji e normon krejt funksionimin e ekzekutivit. Me këtë ligj kjo rregullohet. Ligji është në konsultim të brendshëm, që po kërkojmë ndihmë. Sot janë 21 ministri, unë të mundohem të bëjë një propozim për 13, se çfarë do të ndodh në qeveri e kuvend nuk e di. Kemi me i propozu dy zëvendëskryeministra”, tha ai.

Tahiri tha se se ky ligj do të shkojë në Kuvend në qershor, para se Kuvendi të shkoj në pushim Qeveria në dorëheqje me këtë ligj, Tahiri se nuk do të kenë mundësi që të marrin vendime, siç ka ndodhur deri tash.

Naim Jakaj nga Partia Socialdemokrate tha se është shumë e rëndësishme që kjo po bëhet fal partisë që ai i takon.

Jakaj tha se PSD nuk do të votojë një projektligj në të cilin janë më shumë se dy zëvendësministra.