Thaçi i përgjigjet ftesës së Kurtit

Thaçi i përgjigjet ftesës së Kurtit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është pajtuar që takimi ndërmjet tij dhe kreut të VV-së, Albin Kurti të ndodhë më 6 janar, e hënë, në orën 15:00, ashtu siç ka kërkuar kreu i VV-së, pas ftesës së tretë që i ka bërë presidenti i shtetit.

“Unë e mirëpres faktin që pas herës së tretë Kurti i është përgjigjur ftesës sime. Ditën që është menduar nga Kurti në ora 15:00 do ta presë në zyrën time. Nuk mund të sjellemi me hatër”, u shpreh kreu i shtetit.

Në adresimin e tij me rastin e fundvitit, kreu i vendit foli edhe rreth procesit elektoral për të cilin tha se ka dëshmuar progres të standardeve, ndërsa përmendi edhe punën për thellimin e reformave demokratike dhe forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

Ndërsa sa i përket formimit të Qeverisë, u shpreh se nuk ka pretendime interferimi. “Sa i perket debateve dhe zhvillimit, jam një nga ata lider që e kam përvojen në këso debate, i di vështirësitë dhe pengesat që mund të paraqiten mes spektrit politik në arritjen e një marrëveshje, partia fituese e përcakton partnerin. Kemi një realitet tjetër në Kosovë, çdo marrëveshje që arrihet mes spektrit politik e përshëndes dhe do ta shtyjë përpara”, deklaroi Thaçi.

Ai porositi që të jenë të bashkuar dhe të ketë bashkëpunim pozitë dhe opozitë për tema që lidhen me interes të shtetit. “Askush nuk mund ta shtyjë një proces i vetmuar për temat me interes nacional”, u shpreh ai.

Më 26 dhjetor u konstitua Kuvendi i Kosovës. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca, ndërsa tani pritet takimi mes presidentit dhe kreut të VV-së në lidhje me mandatarin për formimin e Qeverisë. Ky takim është thirrur që herë nga i pari i shtetit, megjithëse kreu i VV-së e ka refuzuar. Ai iu përgjigj presidentit pas ftesës së tretë, duke propozuar si datë 6 janarin (e hënë)./21Media